Kufizimi i fondeve rrezikon luftën kundër HIV/AIDS-it, MSH-ja rikthen fokusin te shërbimet jetike
Është vlerësuar se përballja me HIV AIDS mbetet sfidë globale, e sidomos tani edhe kur ka kufizim të fondeve. Kështu u tha në tryezën që u mbajt në Ditën Botërore të HIV/AIDS-it, e ku nga Ministria e Shëndetësisë u ritheksuar përkushtimi i këtij institucioni për të forcuar sistemin shëndetësor dhe për të siguruar shërbimet e testimit, trajtimit dhe kujdesit për HIV.
Merita Vuthaj, përfaqësuese e Ministrisë së Shëndetësisë, tregoi tri prioritet e MSH-së.

“Kjo është një mundësi për të përkujtuar gjithë ata që kanë humbur këtë betejë më HIV/AIDS dhe për të mbështetur gjithë ata që jetojnë me HIV dhe për të forcuar përpjekjet tona për të parandaluar përhapjen e këtij virusi. Përballja me HIV/AIDS mbetet sfidë globale. Në këtë ditë dua të ritheksoj përkushtimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të përforcuar sistemin tonë shëndetësorë, për të siguruar që shërbimet e testimit, trajtimit dhe kujdesit për HIV të jenë të qasshëm për të gjithë. Jemi të vendosur të bashkëpunojmë ngushtë me organizatat vendase dhe ndërkombëtare për të përmbushur qëllimet globale duke përfshirë eliminimin e transmetimit të HIV dhe sigurimin e një cilësie më të mirë të jetës që jetojnë me këtë virus. Tri prioritetet mbetën kryesore. Së pari përdorimi i informacioneve të sakta dhe edukimi për të parandaluar transmetimin e HIV-it. Përmirësimi i shërbimeve shëndetësore për diagnostikim të hershëm dhe e treta luftimi i stigmës dhe diskriminimi ndaj atyre që jetojnë me HIV”, tha ajo.
Ndërsa drejtoresha e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Ardita Baraku, tha se viti 2025 ka qenë kritik sa i përket përgjigje globale për HIV/AIDS.
“Dita Botërore e HIV/AIDS shërben për të na rikujtuar rrugëtimin e gjatë që nga momenti i identifikimit të shkaktarit të HIV AIDS…viti 2025 ka qenë kritikë sa i përket përgjigjes globale për HIV/AIDS, sepse në Kosovë por edhe në vende të tjera të botës është bërë kufizimi i fondeve në të cilat është rrezikuar përparimi i për kontrollin e kësaj sëmundjeje. Prandaj, shumë njerëz po përballen me rreziqe dhe cenueshmëri për të drejtat që i kanë për shëndet dhe për dinjitet, prandaj nevojitet prioritizimi dhe integrimi i shërbimeve”, u shpreh ajo. /eo