Krasniqi: S’jam naiv të kërkoj shkarkimin e kryesuesit, desha të tregoj se sa arbitrar ishte shkarkimi i Besim Kelmendit

Krasniqi: S’jam naiv të kërkoj shkarkimin e kryesuesit, desha të tregoj se sa arbitrar ishte shkarkimi i Besim Kelmendit

Aktuale December 01, 2025 - 12:51

Pas fjalimit të anëtarit nga shoqëria civile, Visar Krasniqi, në takimin e së hënës të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për shkarkimin e kryesuesit Ardian Hajdaraj nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial, ai mori sërish fjalën dhe tha se nuk ishte propozim për shkarkimin e kryesuesit dhe se nuk është naiv ta kërkojë një gjë të tillë, por vetëm tërhoqi një paralele me rastin e Besim Kelmendit.

“Propozimin e tërheq nga konteksti, sepse e tërhoqa një paralele të njëjtë siç është shkarkuar Besim Kelmendi. Unë nuk jam aq naiv sa të jap propozime të tilla, as mënyra qysh është shkarkuar Besim Kelmendi, as kryesuesi Hajdaraj, sepse nuk ka efekt juridik”, ka thënë ai.

Krasniqi tha se për të ndodhur shkarkimi, duhet të themelohet komisioni disiplinor, ku procedura kryhet jo më vonë se një muaj nga dita e themelimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“As proceduralisht, as logjikisht, as Besim Kelmendi nuk ka mundur të shkarkohet. Unë ju falënderoj që më dhatë mundësinë të tregoj se sa arbitrar ishte shkarkimi i Besim Kelmendit”, ka thënë ai.

Krasniqi tha se ai nuk qëndron pranë propozimit, pasi nuk mund të zhvillohet.

Në anën tjetër zëvendëskryesuesja e KPK-së, Jehona Grantolli tha se procedura për shkarkimin e ushtruesit të detyrës se Kryeprokurorit të Shtetit është e ndryshme me atë për shkarkimit të anëtarit të Këshillit.

Krasniqi tha se vetë Grantolli me sqarimet e procedurës konfirmoi se shkarkimi i Kelmendit ishte joligjor. Meqë propozimi është tërhequr, kryesuesi Hajdaraj u kthye në sallë.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në këtë takim miratoi procesverbalin e seancës së 276-të.