Kryeziu reagon ndaj LVV-së: S’mund të trajtohet mërgata sikur të jetë popull tjetër

Kryeziu reagon ndaj LVV-së: S’mund të trajtohet mërgata sikur të jetë popull tjetër

Aktuale December 01, 2025 - 12:02

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, pas refuzimit të kërkesës së tyre për të organizuar votimin e mërgatës në vende të tjera alternative.

Kryeziu, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se “nuk mund të trajtohet mërgata sikur të jetë popull tjetër e as pronë e një partie politike”.

Sipas tij, populizmi në emër të “respektimit për mërgatën” nuk është asgjë tjetër, veçse një veprim politik për të kapur ndonjë votë më shumë.

“Nuk mund të promovosh votimin nga jashtë si përkrahje të një subjekti politik, duke e shkelur ligjin e pastaj t’i akuzosh si kundër mërgatës ato subjekte dhe institucione që mbështesin organizimin e zgjedhjeve në përputhje me ligjin. Kjo është një qasje që besoj edhe vetë mërgata e refuzon”, shkroi Kryeziu.

Ndryshe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e rrëzuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për hapjen e qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike.

Me këtë vendim, PZAP-i rikthen praktikën që votimi jashtë vendit të zhvillohet vetëm në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës, për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.