Qalaj: Po shprehem qartë dhe shqip - s’largohem nga mbledhja, por nuk diskutoj e as votoj

Qalaj: Po shprehem qartë dhe shqip - s’largohem nga mbledhja, por nuk diskutoj e as votoj

Aktuale December 01, 2025 - 11:28

Derisa është kërkuar që ushtruesi i ri i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, të largohet nga mbledhja e 279-të e Këshillit Prokurorial të Kosovës, ai tha se nuk do të largohet dhe se ai nuk do të marrë pjesë në votim, në diskutim e as në vendimmarrje.

Qalaj tha se në këtë mbledhje po merr pjesë vetëm si anëtar ex-officio.

“Do të marrë pjesë në këtë takim në përputhje me ligjin. Nuk e kam fare mendjen me u marrë me asnjë pikë. Që ta keni të qartë ju lutem. Nuk do të përfshihem në diskutime e as në proces të vendimmarrjes që do të paraqiten sot, duke mbajtur qëndrim neutral deri në vendim. Po shprehem qartë dhe shqip, nuk do të përfshihem në diskutime, votim dhe vendimmarrje. Andaj nuk preferoj të largohem në formën që duhet të largohem. Thoni çka të doni, por unë nuk do të diskutoj”, tha Qalaj.

Ndërsa në fjalën e parë para Këshillit, ai tha: “I nderuar kryesues i Këshillit, kryeprokurorë dhe prokurorë, staf mbështetës, përfaqësues të mediave, qytetarë dhe përfaqësues ndërkombëtar, dua t’ju informoj që në fillim se sipas rrethanave të njohura dhe bazuar në vendimin e Këshillit Prokurorial të datës 20 nëntor, kam pranuar pozitën e ushtruesit të detyrës…Jam i njoftuar se procesi gjyqësor i zhvilluar nga Besim Kelmendi është në zhvillim. Në këto rrethana do marr pjesë vetëm në cilësinë e anëtarit ex-officio, nuk do të përfshihem në diskutime dhe as në procesin e vendimmarrjes, duke mbajtur qëndrim neutral, deri në një vendim të Gjykatës. Deri atëherë, detyrimi im ligjor është të siguroj procesin. Dua të jem i qartë se pjesëmarrja ime lidhet vetëm si anëtar ex-officio”. /eo