Trumpi uron Shqipërinë për Pavarësi, ka një mesazh të ngrohtë për shqiptarët
Foto: Laura Hasani

Trumpi uron Shqipërinë për Pavarësi, ka një mesazh të ngrohtë për shqiptarët

Aktuale November 28, 2025 - 16:18

Presidenti shqiptar Bajram Begaj ka marrë një mesazh urimi nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump me rastin e përvjetorit të Pavarësisë.

Në një reagim në rrjete sociale, Begaj ka ndarë përshëndetjet nga lideri amerikan për shqiptarët në këtë ditë të rëndësishme, ndërsa shton se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të punuar me aleatin e saj.

“Ndihem i nderuar t'u përcjell përshëndetjet e presidentit Trump shqiptarëve për Ditën e Pavarësisë. Faleminderit SHBA, dhe faleminderit”, shkroi Begaj në X.

“Donald J. Trump për mesazhet e ngrohta dhe pozitive në këtë ditë të rëndësishme. Shqipëria mbetet e përkushtuar për të punuar me Shtetet e Bashkuara mbi prioritetet tona të përbashkëta. Shqipëria gjithmonë ka qëndruar dhe do të qëndrojë gjithmonë përkrah Shteteve të Bashkuara. Zoti i bekoftë kombet dhe popujt tanë”, shtoi ai.

Raportohet se Trump i dërgoi Begajt një mesazh të posaçëm, ku, veç urimeve për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, riafirmon vullnetin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara për forcim të bashkëpunimit me Shqipërinë.

“Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet tona më të mira juve dhe popullit të Shqipërisë ndërsa festoni pavarësinë tuaj. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë të krijuar nga lidhje të ngushta sigurie, ekonomike dhe njerëzore. Pres me padurim forcimin e bashkëpunimit tonë mbi prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë stabilitetin rajonal, përballjen me organizatat kriminale ndërkombëtare dhe zgjerimin e mundësive dypalëshe të biznesit dhe tregtisë”.

“Ju uroj juve dhe popullit të Shqipërisë një Ditë të gëzuar Pavarësie”, thuhet se shkroi Trump në mesazhin dërguar Begajt.