Kurti e Rama shijojnë darkën gala të kuzhinës italiane
Nga data 24- 30 nëntor në Kosovë po mbahet edicioni i dhjetë i “Javës së kuzhinës italiane në botë” me temë “Kuzhina italiane mes shëndetit, kulturës dhe inovacionit”.
Ky aktivitet i përvitshëm organizohet nga Ambasada e Italisë në Prishtinë në bashkëpunim me Agjencinë ICE në Tiranë, kompetente edhe për Kosovën.
Qëllimi i këtij edicioni është të vërë në pah mënyrat e shumta përmes të cilave mund të qaseni kuzhinës italiane, si një mozaik dijesh dhe vlerash, duke vënë në qendër rolin e saj si një model ushqyerjeje të shëndetshme, të ekuilibruar dhe të qëndrueshme, si dhe aspektet e inovacionit dhe kërkimit që e karakterizojnë
Ambasada e Italisë në Kosovë ka të ftuar të posaçëm këtë edicion shefin ekzekutiv të një restoranti në Milano, Emin Haziri, së fundmi i nderuar me yllin e tij të parë Michelin.
Haziri, falë historisë së tij prekëse, në moshën shtatëvjeçare mbërriti në Itali me familjen e tij në këmbë duke lënë Kosovën gjatë luftës, përfaqëson simbolin e bukurisë së marrëdhënieve mes Italisë dhe Kosovës.
Me këtë rast, shefi Haziri ka përgatitur një meny ekskluzive për SCIM25 për darkën gala e organizuar nga Ambasada italiane në Prishtinë, ku në mesin e të ftuarve ishin kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama. Aty është parë edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini.
Gjatë darkës, të ftuarit patën mundësinë të degustojnë verëra italiane të përzgjedhura dhe kombinuara profesionalisht me çdo pjatë të menysë nga Shoqata Italiane e Somelierëve Klubi Albania falë mbështetjes së Agjencisë ICE në Tiranë.
Kujtojmë, si pjesë e javës së kuzhinës italiane, sot në Prishtinë u mbajt eventi “Taste the future: HoReCa & Slow food connections”, që synon të trajnojë të rinjtë dhe të krijojë mundësi punësimi në turizëm dhe hoteleri.
Java e kuzhinës italiane përmbyllet më 28 nëntor me një show cooking të hapur për publikun në qendrën tregtare Albi Mall.