Ndahen mbi 4 milionë euro për punëtorët e RTK-së, Kurti e Murati megjithatë fajësojnë opozitën
Qeveria në detyrë ka ndarë 4 milionë e 480 mijë euro për punëtorët e RTK-së.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se këto mjete janë marrë nga kursimet për projekte ekzistuese, pa çka nuk kaloi pa fajësuar partitë opozitare që nuk pranuan ta themelojnë Komisionin për Buxhet.
“4 milionë e 480 mijë euro për transmetuesin publik, të cilat është dashur të merre si kursime nga projektet ekzistuese në kuadër të organizatave tjera buxhetore për shkak se në Kuvend nga partitë opozitare u refuzua që të kryhen detyra, pra të themelohet komisioni për buxhet dhe kësisoj të votohej edhe buxheti i RTK. Në pamundësi që të sigurohen pagat e punëtoreve tash e sa kohë nga ana e Kuvendit që është si themelues i RTK-së na është dashtë ne si Qeveri të marrim këtë hap improvizues në mënyrë që të gjendet një mënyrë urgjente dhe të sigurohen pagat”, tha Murati.
Ndërsa në fillim të mbledhjes, ishte kryeministri në detyrë, Albin Kurti që po ashtu fajësoi opozitën që nuk pranuan të bënin zgjidhje për RTK-në, punëtorët e secilës edhe protestuan e hynë në grevë.
“Që në muajin gusht ne e bëmë një zgjidhje të përkohshme duke dhënë overdraftin për RTK me shpresën që pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe themelimin e komisioneve parlamentare ët arrihet zgjidhja e duhur për të cilat kishin përgjegjësi të gjitha partitë politike. Ne nuk kishim votat e mjaftueshme, pasi partitë e tjera refuzuan kategorikisht pagat për RTK. Siç ka paralajmëruar ministri Hekuran Murati në konferencën për media, kemi shqyrtuar disa opsione të mundshme për të dalë nga kjo situatë. Në këtë mbledhje po ndajmë mjetet e nevojshme nga kategoria e kursimeve. Kjo zgjidhje e sotme apo më mirë të themi kjo mënyrë e tanishme është veçse një improvizim i detyruar pas përpjekjeve tona të vazhdueshme për ta miratuar aty buxhetin e RTK-së”, tha Kurti.