Kurti: Municionet e para nga fabrika në Gjakovë do të dalin në fund të vitit 2026
Foto: Laura Hasani

Kurti: Municionet e para nga fabrika në Gjakovë do të dalin në fund të vitit 2026

Aktuale November 27, 2025 - 12:58
Hapet rruga për ndërtimin e fabrikës së municioneve në Gjakovë

Në fjalën e tij në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri në detyrë Albin Kurti, teksa foli për shpronësimin e pronave të paluajtshme shoqërore “KBI Ereniku” për ndërtimin e zonës industriale të mbrojtjes në Gjakovë, tha se aty do të ndërtohet fabrika e municioneve, prodhimet e së cilës do të dalin në fund të vitit 2026.

Ai premtoi se në mandatin e ardhshëm do të investohet mbi 1 miliard euro në mbrojtje.

“Kërkesa për shpronësim të pronave të paluajtshme shoqërore ‘KBI Ereniku’ për ndërtimin e zonës industriale të mbrojtjes në Gjakovë. Me miratimin e saj hapim rrugë në ndërtesën e fabrikës së municioneve të parë së llojit të saj në Republikën e Pavarur që do t’i shërbejë ushtrisë sonë, do ta rrisë sigurinë tonë dhe do ta ngrejë edhe më tej kapacitetin tonë profesional. Këtë vendim e bëjmë më të veçantë që po e miratojmë në “Ditën e Forcës”. Ndërtimi i kësaj fabrike për të cilën tashmë kemi kontratë të nënshkruar me prodhuesin turk, do të përfundojë brenda muajit të ardhshëm. Municionet e para nga kjo fabrikë do të dalin në fundin e vitit 2026. Përveç fabrikës së municioneve, kjo zonë do t’i shërbejë edhe për investitorë të tjerë me të cilët jemi në kontakt dhe do të prodhojmë lloje të ndryshme të produkteve ushtarake, dronët ushtarakë dhe civilë: ‘Made in Kosova’. Në këtë mandat qeverisës ne kemi katërfishuar buxhetin e Mbrojtjes dhe kemi dyfishuar numrin e ushtarëve. Ushtrinë e kemi pajisur me sistemet më moderne të armatimeve dhe municioneve nga shtetet anëtare të NATO-s. Mbi 430 milionë euro blerje të armatimeve janë investuar në këtë mandat. Në mandatin tonë të radhës do të investojmë mbi 1 miliard euro në mbrojtje, duke rritur ushtrinë dhe siguruar Republikën, duke ngritur Forcën e Sigurisë së Kosovës e forcojmë partneritetin me aleatët”, deklaroi Kurti.