Kosova në zgjedhje të reja me të njëjtët kandidatë për kryeministër

Kosova në zgjedhje të reja me të njëjtët kandidatë për kryeministër

Aktuale November 27, 2025 - 08:31

Më 28 dhjetor qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen sërish kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në nivel qendror.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme po mbahen pasi LVV-ja nuk arriti të formojë qeverinë, disa muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të shkurtit.

Pavarësisht kohës së kaluar, kandidatët që synojnë postin e kryeministrit mbeten të njëjtët.

Tre prej tyre tashmë e kanë zyrtarizuar kandidaturën: Albin Kurti nga LVV-ja, Bedri Hamza nga PDK dhe Lumir Abdixhiku nga LDK, ndërsa nga AAK pritet të kandidojë Ramush Haradinaj.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV-ja ishte radhitur si partia e parë, PDK-ja partia e dytë dhe LDK-ja partia e tretë.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka nisur përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

KQZ-ja po ashtu ka njoftuar se ka filluar periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Po ashtu, KQZ-ja ka marrë vendim për miratimin e planit të buxhetit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Buxheti i planifikuar dhe miratuar për këto zgjedhje është në vlerën: 11,493,526 euro.

Kostoja fillestare e planifikuar dhe prezantuar në mbledhjen e KQZ-së ishte në vlerën 7,771,486 euro.

Vlera përfundimtare e buxhetit të planifikuar përfshin edhe miratimin e amendamentit të propozuar gjatë mbledhjes që parasheh dërgimin e pakove me fletëvotime në adresë të votuesve, të cilët do të regjistrohen për të votuar përmes postës. Kostoja e përafërt për dërgimin e pakove me fletëvotime përmes shërbimit postar është në vlerën e 3,722,040 dhe është llogaritur për rreth 84,000 votues potencial.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ-ja mori vendim për miratimin e Qendrave të Votimit në të cilat do të zhvillohet procesi i votimit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Në ditën e zgjedhjeve, procesi i votimit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, prej të cilave 910 qendra për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, për të mundësuar votimin me kusht. /Telegrafi