Mustafa: Disa njerëz brenda LDK-së krejt avancimin e zhvilluan mbi bazën e kundërshtimeve ndaj meje e Thaçit
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka komentuar zhvillimet brenda partisë dhe qasjen e saj në zgjedhjet e fundit, duke dhënë kritika të drejtpërdrejta për strategjinë politike të ndjekur.
Në emisionin “Pressing” në T7, Mustafa tha se brenda LDK-së ka pasur individë që karrierën e tyre politike e kanë ndërtuar mbi kundërshtimin e bashkëpunimit me PDK-në.
“Ne kemi pasur disa njerëz brenda LDK-së që tërë aktivitetin dhe avancimin e tyre politik e kanë zhvilluar mbi bazën e kundërshtimeve ndaj mosbashkëpunimit me PDK-në. Ndaj kundërshtimit ndaj meje dhe Hashim Thaçit. Ata njerëz sot i ke në institucionet e Kosovës,” tha Mustafa.
Ai shtoi se në zgjedhjet e fundit LDK-ja ka bërë gabim strategjik duke tentuar të kopjojë Lëvizjen Vetëvendosje, çka sipas tij ka sjellë distancimin e figurave të rëndësishme brenda partisë.
“LDK është munduar ta kopjojë VV’në, duke menduar që çdo gjë tjetër nuk po përkrahet prej qytetarëve. Metodat e sjelljes që ka përdorur VV janë bërë atraktive për qytetarët, prandaj edhe është menduar se duhet të bëhemi ashtu,” u shpreh ai.
Mustafa theksoi se LDK-ja nuk duhet të heq dorë nga njerëzit që kanë kontribuar për të, sidomos ata që, sipas tij, janë sulmuar nga Vetëvendosje në të kaluarën.
Sipas tij, rikthimi i identitetit të partisë dhe mosbraktisja e strukturave të saj tradicionale janë çelësi për ringritjen e LDK-së në skenën politike.