PDK-ja dhe LDK-ja thonë se për RTK-në ka zgjidhje, por mungon vullneti
Foto: Laura Hasani

PDK-ja dhe LDK-ja thonë se për RTK-në ka zgjidhje, por mungon vullneti

Aktuale November 26, 2025 - 20:29

Partia Demokratik e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë theksuar se për RTK-në ka zgjidhje ligjore, por jo dhe vullnet institucional, për ekzekutimin e pagave.

“Më vjen keq kjo që ka ndodhur. Unë kam shërbyer në Ministrinë e Financave tetë vite, sikur mos të kishte pasur zgjidhje ligjore edhe mundësi financiare me ju bërë zgjidhje punëtorëve të RTK-së, sigurisht që jam i gatshëm me marrë përgjegjësinë edhe si PDK edhe si kryetar i PDK-së. Zgjidhja ligjore ekziston, jemi në fundin e vitit, 5 për qind e totalit të ndarjeve buxhetore në fundvit mund me u marrë aty ku ka teprica edhe me u ridestinuar  dhe me u dërgua aty ku ka nevoja. Prandaj është mirë me ekzistua vullneti, juristët e bëjnë zgjidhjen sepse zgjidhja është brenda ligjit dhe me u bë transferimi i mjeteve i cili mundëson pagesën e pagave për të punësuarit në RTK”, ka thënë i pari i PDK-së, Bedri Hamza.

Në anën tjetër Armend Zemaj nga LDK ka deklaruar se nëse do të kishte vullnet, format e financimit ligjor të RTK-së në këtë situatë do të ishin valide.

“Sa i përket mënyrës ose të sigurimit të këtij tre mujorshi në krizën me paga, ju e dini që herën e kaluar, e ka zgjidh përmes huamarrjes si e drejtë ligjore, si mundësi ligjore e Qeverisë së Kosovës, dhe e dyta, nuk ka pas vullnet tjetër sepse ekziston një kontingjent që është në fondin e Ministrit të Finacave dhe ata i kanë aty rreth 100 milion, nëse ju kujtohet prej vitit të kaluar që i përdorin për interesa politike. Po të kishin vullnet, një pjesë të atij fondi, do të kishin ndarë RTK-së, ose si ndihmë direkte që është legale, ligjore ose si hua marrje që punëtorët, ju, me punën e ndershmërinë e juaj, e bëni punën në vazhdimësi”, ka thënë Zemaj.

Punonjësit e transmetuesit publik , edhe dy ditë, përmbyllin muajin e dytë pa paga. Të organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe shoqata Sindikale e Radio Kosovës, në shenjë proteste lanë për dy orë vendet e punës për të tretën ditë me radhë.

Sindikatat e Punëtorëve të RTK-së, përveç protestave dhe grevës që vazhdon, kanë kërkuar nga Menaxhmenti që fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit të bojkotohet nga RTK-ja.