LVV-ja e nominon Albin Kurtin për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit
Zyrtarisht, Levizja Vetëvendosje ka shpallur Albin Kurtin si kandidat për kryeministër për zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor.
Ai u votua në mbledhjen e 61-të të partisë. “Po fillojmë një kapitull të ri që nisë me fushatën e tanishme, vuloset me zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe zbatohet në katër vitet e ardhshme me qeverisjen e Vetëvendosjes”, ka thënë Kurti para anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm.
Sipas tij gjendja me pandeminë ka bërë që dy vitet e qeverisjes të jenë në një situatë të jashtëzakonshme. Ai ka folur edhe për agresionin e vazhdueshëm serb dhe ndikimin e luftës Ukrainë – Rusi në vend.
“Këtë mandat do ta nisim me valutën digjitale të Kosovës, e cila e bazuar në ‘block chain’, e krijuar nga shteti do të përdoret për pagesa. Krijimi i saj hap mundësi të reja për inovacion dhe krijon eko sistem të inovatorëve. Me këtë e vendosim Kosovën në qendër të zhvillimeve më të fundit teknologjike”, ka premtuar Kurti.
Nënkryetari i kësaj partie, Glauk Konjufca ka thënë se e nominon Kurtin duke e vlerësuar si lideri demokratik i vendit.
“Unë do ta nominoj më të votuarin nga populli ynë në historinë e demokracisë sonë parlamentare. Më meritorin në udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje, liderin e vërtetë të transformimit social dhe demokratik, kryeministrin më të suksesshëm të Republikës sonë, Albin Kurtin”, ka deklaruar Konjufca.