Fillon shqiptimi i gjobave përmes monitorimit të kamerave në Prishtinë, do të dërgohen në adresat e kundërvajtësve
Drejtoria e Policisë në kryeqytetit ka filluar shqiptimin e gjobave ndaj kundërvajtësve në trafik, përmes monitorimit të kamerave të sigurisë që janë vendosur në rrugët e Prishtinës.
Në njoftim thuhet se ky sistem i avancuar është funksionalizuar me qëllim të rritjes së sigurisë publike në rrugët e kryeqytetit, po ashtu edhe me qëllim të zbulimit të rasteve të ndryshme.

“Me anë të këtyre kamerave do të mundësohet identifikimi në kohë reale i kundërvajtjeve, siç janë tejkalimi i shpejtësisë, mosrespektimi i semaforëve, ndalimi në vende të palejuara dhe shkelje të tjera sipas Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor. Pas identifikimit gjobat do të dërgohen në adresat postare të kundërvajtësve”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës thekson se përdorimi i kamerave është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të menaxhimit të trafikut, duke synuar rritjen e sigurisë së qytetarëve në komunikacion dhe apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, që të respektojnë rregullat e trafikut, ngase qëllimi kryesor i këtij sistemi është parandalimi, siguria publike dhe ruajtja e jetës së qytetarëve.
