Agon Maliqi demanton zërat për aderimin e tij në LDK

Agon Maliqi demanton zërat për aderimin e tij në LDK

Aktuale November 26, 2025 - 12:03

Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka deklaruar se nuk do t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), shkruan Zeri.info.

Ky reagim i Maliqit vjen pas raportimeve se ai do të aderojë në këtë subjekt politik.

“Angazhimi im publik dhe bindjet e mia politike gjithmonë kanë qenë transparente, shpesh ndoshta më shumë se sa që duhet. Prandaj si përgjigje ndaj një lajmi të publikuar mbi aderim në parti politike në këto zgjedhje (konkretisht në LDK) them: jo, nuk e kam në plan”, ka shkruar Maliqi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Reagimi i plotë i Maliqit, pa ndërhyrje:

Angazhimi im publik dhe bindjet e mia politike gjithmonë kanë qenë transparente, shpesh ndoshta më shumë se sa që duhet. Prandaj si përgjigje ndaj një lajmi të publikuar mbi aderim në parti politike në këto zgjedhje (konkretisht në LDK) them: jo, nuk e kam në plan.

Për aq sa dikujt i interesojnë sqarimet: i kam mbi supe disa angazhime afatgjata në rrafshin rajonal e ndërkombëtar, që edhe janë publike, e ku ndihem edhe profesionalisht i përmbushur, e edhe i dobishëm për kauzat në të cilat besoj, e për të cilat shprehem çdo ditë. Them se ky lloj angazhimi është më i dobishëm se ai në parti politike, jo pse angazhimi politik është i keq dhe i padobishëm - përkundrazi - por edhe sepse gjithkush duhet të jetë i vetëdijshëm për anët e tija të forta dhe të dobëta, pra se ku mund të prodhojë më shumë rezultate. E unë jam i vetëdijshëm se për nga natyra edhe nuk jam fort lloj i njeriut që siguron vota dhe i prerë për atë punë.

Në anën tjetër, për kurreshtje të portaleve - po, me kënaqësi dhe shpesh takohem me liderë e zyrtarë të partive ish-opozitare ku kam shumë miq - në këtë rast me zt. Abdixhiku të cilin e njoh prej kohës së tij në shoqëri civile - sidomos nëse i respektoj dhe nëse besoj se janë pjesë e zgjidhjes, dhe jo pjesë e problemit, në tejkalimin e theqafjes politike të Kosovës. Dhe do t’i takoj edhe në të ardhmen, sa herë që vlerësojnë se mendimi im mund të ketë vlerë. /Zëri