Arrestimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së, Avni Qenaj në Serbi – gjithçka që dihet deri tani
Vetëm disa ditë pas lirimit të ish-policit të Njësisë Speciale të Kosovës, Arbnor Spahiu i cili në qershor të këtij viti ishte arrestuar në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, një tjetër ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avni Qenaj, nga fshati Romajë i Prizrenit është arrestuar nga autoritetet në Serbi.
Lajmi për arrestimit e Qenajt nga autoritetet në Serbi është konfirmuar edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dhe nga OVL e UÇK-së.
Nga MPJD-ja kanë theksuar se po ndërmerren të gjitha veprimet për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së tij.
Sipas njoftimit të MPJD-së, menjëherë pas marrjes së informacionit mbi arrestimin, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dërguar kërkesë zyrtare te autoritetet serbe për konfirmimin e arrestimit, arsyet konkrete të ndalimit, vendndodhjen ku po mbahet si dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm për trajtimin e mëtejshëm të rastit.
Ministria njofton gjithashtu se është informuar Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe janë dërguar nota verbale te misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it, për të siguruar mbikëqyrje dhe angazhim ndërkombëtar në mbrojtje të të drejtave të Qenajt.
Tutje bëhet e ditur se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi do të procedojë me kërkesën për lejimin e vizitës së të arrestuarit sapo të konfirmohet lokacioni i saktë i tij.
MPJD-ja rithekson se do të informojë opinionin publik në mënyrë të vazhdueshme për çdo zhvillim lidhur me këtë rast.
Ministria i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të rrisë vigjilencën dhe presionin ndaj autoriteteve serbe, duke theksuar se Serbia vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe intimidimit të shtetasve të Kosovës, duke cenuar normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Ndërkaq, edhe nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka konfirmuar se autoritetet në Serbi kanë arrestuar ish-pjesëtarin e UÇK-së, Avni Qenaj, nga fshati Romajë i Prizrenit.
Sipas Sylës, Qenaj, ish-pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani”, është ndaluar gjatë kalimit në territorin serb, ndërsa dyshohet se organet e sigurisë serbe ia kanë gjetur kartelën e veteranit gjatë kontrollit.
Ai theksoi se Qenaj kishte kaluar disa herë më parë nëpër Serbi pa probleme.
E presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, të hënën ka pritur në një takim ish-pjesëtarin e Njësisë Speciale, Arbnor Spahiut pas lirimit nga burgu në Serbi.
Ajo ka ripërsëritur thirrjen drejtuar qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, veçanërisht atyre që planifikojnë të udhëtojnë gjatë festave të fundvitit, që të shmangin transitin nëpër Serbi.
Sipas saj, në Serbi ende janë në pushtet struktura që, siç u shpreh ajo, “nuk dallojnë në mendësi nga regjimi i kaluar serb”, çka paraqet rrezik për sigurinë e udhëtarëve kosovarë.
Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë angazhimin për mbrojtjen e qytetarëve të saj kudo që ndodhen dhe për parandalimin e rasteve të ngjashme të ndalimeve të padrejta.
Por, avokati Arianit Koci ka reaguar ndaj deklaratës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin kalimin nëpër Serbi pas rasteve të përsëritura të arrestimeve të kosovarëve nga autoritetet serbe.
Në një reagim publik, Koci tha se ndonëse shqetësimi është i drejtë dhe rreziku real, qasja e institucioneve nuk duhet të prodhojë frikë apo ndjenjë dorëzimi te qytetarët.
“Kur thua ‘mos shkoni’, atëherë duhet të tregosh edhe ‘si do t’ju mbrojmë’ dhe ‘çfarë zgjidhje po ofrojmë’. Përndryshe, thirrja mbetet e cunguar dhe krijon hapësirë për pasiguri,” theksoi Koci.
Ai kërkoi që shteti të shoqërojë paralajmërimet me masa konkrete, duke përfshirë: ofrimin e rrugëve alternative të sigurta dhe të përballueshme për diasporën; garanci për mbrojtje konsullore të menjëhershme në rast të ndalimeve; koordinim të ngushtë me shtetet mike për monitorimin e situatës; masa reciproke në përputhje me të drejtën ndërkombëtare; presion diplomatik të vazhdueshëm për të ndalur praktikat e autoriteteve serbe.
Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka njoftuar se ka arrestuar një person të identifikuar me inicialet A.Q., të cilin e dyshon për “organizim dhe nxitje të kryerjes së gjenocidit dhe krimeve të luftës”.
Sipas autoriteteve serbe, i dyshuari dyshohet se iu bashkua shtabit lokal të UÇK-së në Prizren në prill të vitit 1998 dhe mori pjesë në luftimet e vitit 1999 në Koshare si anëtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani”.
Qenajt i është caktuar masa e ndalimit 48-orësh, ndërsa MPB e Serbisë ka njoftuar se ndaj tij do të dorëzohet kallëzim penal në prokurori. /Telegrafi