Punëtorët e “Tregut” në Gjilan pa paga prej dy muajsh, paralajmërojnë grevë nga nesër
Punëtorët e ndërmarrjes “Tregu”, që operon nën kompetencë të Komunës së Gjilanit, nuk janë paguar tash e dy muaj.
Ata kanë konfirmuar se nga nesër do të hyjnë në grevë, ndërsa kësaj greve pritet t’u bashkohen rreth 300 punëtorë.
Se punëtorët janë pa paga ka konfirmuar edhe Arbër Ismajli nga dega e LDK-së në Gjilan.
Përmes një reagimi në Facebook, ai ka kritikuar komunën për mungesë përgjegjësie, duke kërkuar që urgjentisht të sigurohen pagat për qindra punëtorët e “Tregut”.
Sipas tij, punëtorët nuk janë paguar me muaj dhe shumë prej tyre tashmë janë ngarkuar me borxhe e kredi.
“Kjo është fyese dhe e papranueshme për një institucion që duhet t’i mbrojë punëtorët, e jo t’i braktisë. Ju bëjmë thirrje Komunës së Gjilanit të marrë përgjegjësi, të vazhdojë menjëherë kontratat e mantelbardhëve dhe të sigurojë pagat për mbi 300 punëtorët e Tregut. Komuna duhet të gjejë rrugën ligjore që këta profesionistë të vazhdojnë punën dhe qytetarët të mos mbesin pa shërbime. Mirëqenia e qytetarëve nuk mund të lihet në dorë të vendimeve arbitrare”, shkroi Ismajli.
Ai mes tjerash shkroi në Facebook se nga 1 dhjetori i vitit të shkuar, 45 mantelbardhë, mjekë e teknik, po dërgohen në shtëpi sepse Komuna nuk po ua vazhdon kontratat.
“Vendim skandaloz dhe dëshmi e keqmenaxhimit të thellë.Dhe pikërisht, këtu del në pah hipokrizia se dikur ju thoshit këtyre profesionistëve se “nëse ndërrohet pushteti, do të mbeteni pa punë”. Sot po tregoni fytyrën e vërtetë, që për vota nuk keni limite në përdorim dhe se manipulimi me frikë e shantazh ka qenë vetëm politikë e ulët. Sepse sot, pa u ndërruar as pushteti, po i largoni nga puna vetë njerëzit që e kanë mbajtur sistemin gjallë”.
“Përveç tjerash, këta profesionistë nuk janë paguar me rregull për muaj të tërë, e tani po përjashtohen edhe nga ushtrimi i profesionit, duke lënë qytetarët pa shërbime dhe familjet e tyre pa të ardhura. Ndërkohë, paratë publike po shpenzohen pa plan, si dhurata të babadimrit, ndërsa sektorët kryesorë po rrëzohen”, deklaroi ai. /klankosova