Abdixhiku i përgjigjet Osmanit: Ishim të gatshëm ta votonim buxhetin e Prishtinës, pagat e RTK-së dhe Pakon e Rritjes
Foto: Laura Hasani

Abdixhiku i përgjigjet Osmanit: Ishim të gatshëm ta votonim buxhetin e Prishtinës, pagat e RTK-së dhe Pakon e Rritjes

Aktuale November 25, 2025 - 11:47

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i është përgjigjur presidentes Vjosa Osmani në lidhje me deklaratën se opozita nuk ka shprehur gatishmëri për votimin e buxhetit në seancën e fundit të Kuvendit.

Ai ka thënë se e vërteta qëndron ndryshe, duke treguar se i ka propozuar Osmanit që të votohet një pako e quajtur “Pako e Presidentes” që do të përfshinte votimin e Ligjeve të Prishtinës e Gjilanit, me sigurimin e pagave për RTK-në, si dhe me votimin e Pakos Evropiane të Rritjes.

“Në mbrëmje, po atë mbrëmje, menjëherë pas mandatimit të Konjufcës, Presidentja më ka kontaktuar, duke më thënë se ka komunikuar me mandatarin, ua ka përcjellë porosinë Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ata janë shprehur shumë pozitivë për këtë ide.

Në ato momente kam kontaktuar Memli Krasniqin si Kryetar të PDK-së; Ramush Haradinajn si Kryetar të AAK-së; dhe Fatmir Limajn si Kryetar të Nismës. Të tre këta janë njoftuar se ka një mundësi që të votohet një pako e tillë për të mirën e vendit”, thuhet në reagimin e Abdixhikut.

Sipas të parit të LDK-së nga ky moment, nuk ka pasur ndonjë kontakt me presidenten Osmani, duke e fajësuar atë se e përdori këtë situatë për të nxitur krizën politike.

“Nuk pati asnjë lëvizje, anipse ishte vonë. Ani pse ishin shpenzuar 15 dië pa asnjë nevojë. Ani pse nuk kishte asnjë gatishmëri as për ta diskutuar bashkarisht në mjë vend këtë ide.

Sot habitem se me sa lehtësi fshihet ky fakt dhe kjo e vërtetë. E kuptoj që jemi në betejë politike, por në këtë betejë na duhet të kemi minimalisht korrektësi dhe sjellje njerëzore. Kjo është e vërteta”, shkroi Abdixhiku në Facebook. /Zëri