Flet vëllai i gruas që u sulmua nga ish-burri me sëpatë, tregon si ndodhi e gjithë ngjarja
Në oborrin e kësaj shtëpie dyshohet që K.E, sulmoi ish gruan e tij në fshatin Gadime e Ulët të Lipjanit mëgjesin e së hënës.
Ani pse gruaja e kishte një urdhër mbrojtje që e ndalonte të dyshuarin t’i afrohej viktimës, ai arriti të depërtonte tek shtëpia ku ish-gruaja e tij jetonte.
Aty, me një sëpatë, dyshohet që iu vërsul viktimës S.A.
E më të keqen e ndalën fiqnjët, të cilët intervenuan në dhënien e ndihmës së parë.
Derisa, i dyshuari u largua nga vendi i ngjarjes, por i njëjti përfundoi në pranga të policisë pasditen e së hënës.
Se si nisi e gjithë ngjarja ku mbeti e plagosur S.A, tregoi për tëvë1, vëllau i viktimës në kushte anonimiteti.
Ai tha se ish-bashkëshorti i motrës së tij në mbrëmjen e së dielës, ishte tek dyert e oborrit të viktimës S.A. Andaj në orët e para të së hënës kishin kërkuar ndihmë nga Policia e Kosovës.
“Në mëngjes, nga gjysmë në tetë, e pashë në Gadime dhe e raportova policinë që ai është këndej. Ata thanë: “Nuk kemi asnjë njësit të lirë për me ardh në Gadime, po hajde raporto rastin.”Dej shkova unë atje e raportova rastin, i thashë: “Thirrni, kontaktoni, se ai po sillet.” Njëri polic tha: “Ne nuk mundem me ndal se nuk e ka ndalu me ardh këtu, po e ka afërsinë 100 metra sa është me ligj.” Edhe unë, tu ardh se mu me vyke edhe një dëshmi se ai ish kon natën te dyert dhe e kish bo një foto, ja kish qu vellaut, po vëllau nuk ish këtu, ish në punë. Ata më thanë duhet me marr telefonin e vëllaut, me nxjerr foton dhe me dit prej cilit numër ka ardh, sakt, ku ne, sa ora u regjistru. Une tu dasht me shku te vëllau, veç kur më ka thirr motra ka qenë 08:40, qashtu diçka, se e ka sulmu. P”, ka thënë vëllau i viktimës
Televizioni kontaktoi komandantin e stacionit policor në Lipjan, Brahim Shatrolli i cili mohoi këto pretendime.
Kurse Prokuroria Themelore e Prishtinës, bëri të ditur që rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë në tentativë”.
“Ju njoftojmë, se po dyshohet se një burrë ka sulmuar bashkëshorten e tij me sëpatë. Ngjarja është duke u cilësuar si “Vrasje e rëndë në tentativë”, sipas nenit 183 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Pas zhvillimeve hetimore në mënyrë intensive është arrestuar i dyshuari K.E., rreth orës 12:30 për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, ka njoftuar Shala
E gjendja e viktimës sipas Drejtorit të Emergjencës në Prishtinë, Naser Syla, është stabile.
“Gjendje stabile është për momentin, është duke u trajtuar në Qendrën e Emergjencës ende”, është shprehur Syla.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Rrjeti i Grave të Kosovës, duke theksuar që ky rast tregon edhe një herë se mungesa e zbatimit të plotë të Urdhrave për Mbrojtje vazhdon të rrezikojë jetën e grave në Kosovë, duke dështuar t’i ofrojë mbrojtjen që ligjërisht u takon.
Televizioni Teve1 ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por deri në momentin e publikimit të kronikës, nuk ka marrë përgjigje.