Kujtohet Xhemail Mustafa, Abdixhiku: U vra një njeri që nuk kishte asnjë armë, përveç së vërtetës
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar Xhemail Mustafën në 25-vjetorin e vrasjes së tij, për të cilin tha se u vra një penë që kishte qëllim t’i tregonte botës se ky vend e ky popull meritojnë lirinë.

“Sot, 25 vjet më pas, kur shohim sfidat që përballet vendi ynë; kur shohim se sa shpesh përplasja zëvendëson idenë; sa shpesh gjuha e urrejtjes zë vendin e mendimit; sa shpesh shfaqja zëvendëson substancën – atëherë e kuptojmë edhe më shumë sa shumë na mungon qetësia, mençuria dhe maturia e njerëzve si Xhemail Mustafa. Sot kur Kosova ka nevojë për bashkim, ai na kujton se shteti ndërtohet me vlera. Sot kur ka nevojë për drejtësi, ai na kujton se e vërteta nuk blihet, nuk frikësohet, nuk ndalet. Sot kur ka nevojë për vizion, ai na kujton se fjalët janë të fuqishme veç kur burojnë nga mendja dhe zemra. Historia e Xhemail Mustafës është histori e LDK-së. Histori e Kosovës. Histori e guximit intelektual, e rezistencës morale dhe e dinjitetit kombëtar. Ai është një prej atyre burrave që nuk u larguan, që nuk u frikësuan, që nuk u bindën – sepse besuan. Dhe sot, ne që jemi këtu, kemi detyrimin të mos e tradhtojmë atë besim”, tha Abdixhiku.

Para të pranishmëve foli dhe vajza e tij, Berianë Mustafa, të cilës teksa i dridhej zëri kujtoi mallin për të.

“Një çerek shekulli babë, e megjithatë babë e megjithatë ka momente kur mungesa jote më duket aq e freskët sa hapi i parë i kujtimit për ty. Ka njerëz që i njohim përmes viteve që kalojnë bashkë, babin, unë dhe Besianin e njohëm përmes mungesës së tij dhe çdo gjëje që ka lënë pasë. Ka ditë kur mendoj se si kishte me qenë sikur ta kishim afër, kur kemi pasë frikë, kur kemi pasë për një dashuri apo këshillë, kur na është dridh zërma qoftë prej gëzimit apo hidhërimit. Ky përvjetor nuk është vetëm datë por edhe një ndalesë e vogël për ë thënë me vet se ti edhe pse nuk je ti na ke rritur mua dhe Besianin,. Ti na ke formuar e na ke dhënë një forcë që nuk e kuptoj por e ndejë dhe është ndjesi e butë dhe e ngrohtë që më kujton se dashuria e një prindi nuk matet me vitet e kaluar por me gjurmët që ai ka lënë. Xhemë sot pas 25 vitesh mallin e ndjejë po aq thellë por e ndjeje dhe krenarin dhe mirësinë që na le”, tha ajo.








