Përfaqësuesit e transportuesve në takim me Muratin, pa Ramën
Foto: Laura Hasani

Përfaqësuesit e transportuesve në takim me Muratin, pa Ramën

Aktuale November 24, 2025 - 13:44

Përfaqësuesit e linjave urbane të Prishtinës, të “Trafikut Urban”, por edhe ata privatë, janë në një takim me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati.

Në këtë takim janë përfaqësuesi i Shoqatës së Transportuesve Privatë Avdyl Brajshori dhe kryetari i Sindikatës së punëtorëve në “Trafikun Urban”, Ilmi Gashi.

Pavarësisht takimit me përfaqësuesit e transportuesve publikë dhe atyre privatë, Murati nuk ka pranuar të takohet me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.

Rama, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka thënë se Kurti dhe Rama kanë refuzuar ta takojnë.

“Në këtë ditë kur cenohen shërbimet jetike të qytetarëve të kryeqytetit. Cenohet mirëqenia e punëtorëve dhe e familjarëve të tyre! Unë vazhdoj të jem i gatshëm 24/7 për çdo takim që siguron mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetin e qytetarëve dhe punëtorëve të kryeqytetit!”, ka shkruar Rama. /Zëri