E përditshmja austriake: Vuçiqi merr kontrollin e ushtrisë dhe policisë, njësoj siç bëri dikur Millosheviqi
Mediumi austriak OE24 raporton se Serbia po përballet me një rikthim të rrezikshëm drejt praktikave të viteve ’90, kur pushteti politik kishte kontroll të plotë mbi ushtrinë dhe policinë – një situatë e ngjashme me periudhën e Sllobodan Milosheviqit.
Sipas gazetës, ndryshimet e reja ligjore të presidentit Aleksandar Vuciq po çojnë vendin drejt centralizimit të plotë të pushtetit në duart e shefit të shtetit.
OE24 shkruan se projektligji për ndryshimin e Ligjit për Ushtrinë pritet të miratohet së shpejti dhe do t’i mundësojë Vuçiqit që të shpallet zyrtarisht komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura. Ndryshe nga ligji aktual – ku presidenti as nuk përmendet në këtë rol – versioni i ri kërkon që shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe oficerët kryesorë të veprojnë “në përputhje me vendimet e presidentit”.
Sipas gazetës, ky konsolidim autoritar nuk kufizohet vetëm në ushtri.
Ndryshimet e fundit në polici tregojnë se ky institucion po vihet gjithashtu nën kontroll të drejtpërdrejtë të Vuçiqit. OE24 citon revistën beogradase “Radar”, e cila vlerëson se “rruga drejt kthimit të policisë në një filiale të Partisë Progresive Serbe, e nisur në vitin 2014, është thuajse e përfunduar”.
Si shembull, artikulli përmend promovimin e Marko Kriçakut, shefit të njësisë speciale për mbrojtjen e objekteve, i njohur për brutalitetin ndaj studentëve protestues – një lëvizje që, sipas OE24, tregon se “as nuk po mundohet më të ruhet fasada e profesionalizmit”.
Eksperti ushtarak Aleksandar Radiq paralajmëron se ndryshimet ligjore në ushtri përbëjnë “kthim në vitet ’90”, kur Shtabi i Përgjithshëm ishte nën kontroll të drejtpërdrejtë të Milosheviqit.
Nga ana tjetër, gjenerali në pension Momir Stojanoviq i quan ndryshimet “absurde”, duke theksuar se Serbia në teori ka sistem parlamentar — por vetëm në letër.
“Në realitet, shumica e qytetarëve e dinë se asnjë vendim nuk merret pa miratimin e presidentit”, përmbyll raportimi i OE24. /EO