Dy minatorë të Trepçës pësojnë lëndime në vendin e punës, kjo është gjendja e tyre
Foto: Laura Hasani

Dy minatorë të Trepçës pësojnë lëndime në vendin e punës, kjo është gjendja e tyre

Aktuale November 23, 2025 - 13:24

Dy minatorë të Trepçës janë lënduar në vendin e punës mbrëmjen e së shtunës.

Rreth gjendjes së tyre shëndetësore ka njoftuar ndërmarrja në fjalë.

Bëhet fjalë për Elson Rrustemin dhe Përparim Beqirin, të cilët morën lëndime në sy nga pluhuri teksa po e fryenin një gomë.

“Pas incidentit të dy punëtorëve iu është dhënë ndihma e parë, pastaj janë dërguar në spitalin regjional në Mitrovicë dhe pas trajtimit mjekësor janë liruar në shtëpi”, thuhet në njoftim.

Tutje, Trepça bën me dije se me të marrë informacionin për lëndimin e punëtorëve zyrtarisht e ka njoftuar inspektoratin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

“Po ashtu, është formuar Komisioni i Brendshëm i Trepça Sh.A., i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes për të bërë vlerësimin e situatës dhe është në përgatitje të raportit zyrtar”, thuhet tutje në njoftim.

“Trepça Sh.A. është e përkushtuar në mënyrë të vazhdueshme për të garantuar një ambient pune të sigurt, duke ndërmarrë masa parandaluese, duke zbatuar standardet ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe duke investuar në trajnimin e punëtorëve me qëllim që të minimizohen rreziqet dhe të parandalohen lëndimet në vendin e punës”.