Osmani kujton Xhemail Mustafën: Zëri i artikuluar i lirisë dhe i pavarësisë

Osmani kujton Xhemail Mustafën: Zëri i artikuluar i lirisë dhe i pavarësisë

Aktuale November 23, 2025 - 10:05

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar Xhemail Mustafën në përvjetorin e vrasjes së tij, duke e cilësuar si një nga zërat më të fuqishëm intelektualë që mbrojti idealin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Osmani tha se Mustafa ishte një bashkëpunëtor i palëkundur i Presidentit historik, Ibrahim Rugova, dhe një ndër figurat kyçe që kontribuoi në artikulimin e mendimit politik që çoi drejt pavarësisë së vendit.

"Në këtë përvjetor kujtojmë me nderim Xhemail Mustafën, një nga zërat më të artikuluar të lirisë, intelektualin që me penë, guxim e vizion mbrojti idealin e Kosovës së pavarur.Ai ishte bashkëpunëtori i palëkundur i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, dhe një prej arkitektëve të mendimit politik që na çoi drejt shtetit që kemi sot", ka shkruar Osmani.

Presidentja theksoi se plagët e së kaluarës nuk mund të mbyllen pa drejtësi, duke kërkuar zbardhjen e plotë të vrasjes së tij, të cilën e cilësoi si detyrim të Republikës dhe jo vetëm kërkesë morale.

“Lavdi jetës, veprës dhe sakrificës së Xhemail Mustafës!”, përfundoi Osmani.