Prishtina nën vëzhgim të kamerave, në vitin e ardhshëm edhe 600 të reja
Ka përfunduar faza e fundit e projektit për vendosjen e kamerave të sigurisë në kryeqytet, por që Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, Lulzim Fushtica, ka bërë të ditur se në 2026-ën do të nisë zgjerimi i madh i këtij sistemi.
Ai njoftoi se plani i përbashkët me Policinë e Kosovës parasheh vendosjen e afër 600 kamerave të reja në 200 lokacione të Prishtinës.
Fushtica tha se deri më tani janë instaluar 165 kamera në 54 lokacione, duke theksuar se ky është vetëm fillimi i projektit afatgjatë për rritjen e sigurisë publike në kryeqytet.
Sipas tij, investimet do të vijojnë vitin e ardhshëm me buxhet të planifikuar posaçërisht për këtë projekt.
“Projekti i parë për vendosjen e kamerave, faza e fundit është përfunduar, deri më tani janë vendosur 165 kamera në 54 lokacione. Kjo është vetëm një pjesë e vogël e asaj çka ne mendojmë të bëjmë. Nga viti tjetër, pra 2026, i kemi paraparë me buxhet që të vazhdojmë dhe plani që është bërë bashkërisht nga Policia e kryeqytetit dhe Drejtoria e Sigurisë, parasheh që të vendosen afër 600 kamera në 200 lokacione në kryeqytet”, tha ai.
Ai theksoi se përfitimet nga ky sistem janë të drejtpërdrejta dhe të matshme në aspektin e sigurisë publike, kontrollit të trafikut dhe zbulimit e rasteve.
“Përfitimi është fillimisht parandalimi dhe rritja e sigurisë publike në kryeqytet, kemi të bëjmë me rritje të sigurisë publike në përgjithësi, kemi të bëjmë me kontrollin më të mirë të trafikut, kontrollin më të mirë të mobilitetit dhe zbulimin e rasteve. Deri më tani, sipas të dhënave që i kemi nga Policia e kryeqytetit kemi një rritje të zbulueshmërisë së rasteve deri në 30 për qind, po ashtu edhe një parandalim apo zvogëlim të rasteve deri në 30 për qind dhe deri 100 për qind kemi zbulueshmëri të rasteve ‘godit dhe ik’, pra kur pjesëmarrësit në komunikacion shkaktojnë aksident dhe ikin, për arsye se kamerat janë të vendosura në gjitha hyrjet dhe daljet e kryeqytetit. Të vendosura janë në udhëkryqe, në sheshet kryesore dhe rrugët kryesore, do të vazhdojmë që të vendosen në gjitha pjesët e kryeqytetit sipas vlerësimit të rrezikshmërisë”, tha ai për Ekonomia Online.
Fushtica bëri të ditur se menaxhimi i sistemit të kamerave bëhet vetëm nga Policia e Kosovës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Sipas ligjit, të vetmit janë Policia e Kosovës, këtë rast Drejtoria e Policisë së kryeqytetit, e cila vetëm se e kemi vendosur një pikë të monitorimit në sektorin e trafikut të kryeqytetit të cilat monitorohen 24/7”, tha ai.