Ministria e Jashtme deklarohet pas lirimit të Arbnor Spahiut nga burgu në Serbi

Ministria e Jashtme deklarohet pas lirimit të Arbnor Spahiut nga burgu në Serbi

Aktuale November 22, 2025 - 12:17

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës – MPJD, është deklaruar në lidhje me lirimin nga paraburgimi të shtetasit Arbnor Spahiu, i cili ishte arrestuar nga Serbia muaj më parë.

MPJD-ja thotë se Saphiu, nga autoritetet gjyqësore të Serbisë ishte mbajtur në paraburgim për një periudhë të zgjatur, nën akuza të pabazuara për “vrasje të rëndë” të lidhura me ngjarjet në Banjskë, në vitin 2023, transmeton Zeri.info.

Njoftimi i plotë nga MPJD-ja:

Lirohet shtetasi i Republikës së Kosovës, Arbnor Spahiu

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është informuar nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi lidhur me lirimin nga paraburgimi të shtetasit të Republikës së Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili nga autoritetet gjyqësore të Serbisë ishte mbajtur në paraburgim për një periudhë të zgjatur, nën akuza të pabazuara për “vrasje të rëndë” të lidhura me ngjarjet në Banjskë, në vitin 2023.

Që nga dita e parë e arrestimit të tij, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përkatësisht Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës së bashku me institucionet tjera gjegjëse, kanë ndjekur nga afër rastin dhe kanë ofruar mbështetjen e nevojshme, duke insistuar vazhdimisht që ndaj tij të respektohen të drejtat themelore të njeriut dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë.

MPJD rithekson se akuzat e ngritura nga autoritetet e Serbisë kundër z. Spahiu kanë qenë të motivuara politikisht dhe të pabazuara në prova, ndërsa paraburgimi i tij i zgjatur ka shkelur të drejtën për proces të rregullt dhe trajtim të drejtë.

Lirimi i z. Spahiu konfirmon qartazi se pretendimet e Serbisë lidhur me rastin në fjalë nuk kanë qëndruar dhe se përdorimi i sistemit të drejtësisë për presion politik ndaj qytetarëve tanë është praktikë që duhet të marrë fund.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës falënderon të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare që kanë kontribuar në trajtimin e drejtë të këtij rasti dhe mbetet e përkushtuar që të mbrojë çdo qytetar të Republikës së Kosovës kudo që gjendet.