Pse “Turkish Airlines” vendosi t’i shesë aksionet tek “Air Albania”?

Pse “Turkish Airlines” vendosi t’i shesë aksionet tek “Air Albania”?

Aktuale November 21, 2025 - 10:26

Të mërkurën, bordi i “Turkish Airlines” njoftoi investitorët nëpërmjet një shpalljeje të shkurtër se do t’i shiste aksionet e tij në kompaninë ajrore shqiptare, “Air Albania”.

“Bordi ynë i drejtorëve ka vendosur të shesë të gjitha aksionet në “Air Albania” SHPK, ku kompania jonë zotëron një përqindje prej 49%,” tha kompania “Turkish Airlines” në një njoftim, duke shtuar se çdo zhvillim material i lidhur me këtë vendim do të ndahej me investitorët.

Kompania ajrore “Air Albania” u themelua me ndihmën e presidentit turk Recep Tayyip Erdoëan në vitin 2018, me investitorë “Turkish Airlines”, “MDN Investments” dhe “Albcontrol”. “Turkish Airlines” zotëron 49% të aksioneve, “MDN Investments” 41% dhe “Albcontrol” 10%. “Albcontrol” është kompani shtetërore shqiptare, ndërsa “MDN Investments” kontrollohet nga biznesmeni vlonjat Sinan Idrizi dhe vajzat e tij.

Sipas raportit të konsoliduar financiar 9-mujor të “Turkish Airlines” për vitin 2025, “Air Albania” ka akumuluar rreth 50 milionë dollarë borxhe të pashlyera ndaj kompanisë mëmë. Raporti thekson se kompania turke kishte në vitin 2025 rreth 41 milionë dollarë të arkëtueshme tregtare afatshkurtra nga “Air Albania” dhe 12 milionë dollarë të arkëtueshme afatgjata.

Në krahasim, të ardhurat e “Air Albania” ishin rreth 2 milionë dollarë, ndërsa humbjet arritën në 3 milionë dollarë në 9 muajt e parë të vitit 2025.

Sipas pasqyrave të konsoliduara për periudhën deri më 30 shtator 2025, “Air Albania” paraqitet në një gjendje të brishtë financiare, e varur ngushtësisht nga mbështetja e “Turkish Airlines”. Kompania ajrore shqiptare vazhdon të jetë me kapital negativ dhe prej vitit 2019 humbjet e saj nuk pasqyrohen më në bilancin e “Turkish Airlines”, pasi e tejkalojnë pjesën që i takon grupit në sipërmarrjen e përbashkët.

Ndërkohë, detyrimet e “Air Albania”-s ndaj “Turkish Airlines” – duke përfshirë të arkëtueshmet afatshkurtra, të arkëtueshmet afatgjata dhe detyrime të tjera tregtare, mbeten të larta, duke e çuar ekspozimin total financiar në mbi 50 milionë dollarë.

Kompania “Air Albania” gjeneron shumë pak të ardhura për “Turkish Airlines” dhe nuk raporton fitim, duke sinjalizuar një model operimi që mbështetet te financimi dhe infrastruktura e partnerit turk, ndërkohë që vetë është vendosur në themele të dobëta financiare dhe me perspektivë të pasigurt për qëndrueshmëri afatgjatë.

Me gjithë humbjet e mëdha financiare, për vite me radhë kompania “Air Albania” ka subvencionuar përdorimin e një avioni “Airbus-319”, konfigurim VIP nga kryeministri Edi Rama, në bazë të një marrëveshjeje kuadër. Përdorimi i këtij avioni nga kryeministri dhe shpenzimet për operimin e tij kanë qenë burim akuzash nga opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike, e cila ka kërkuar ngritjen e një komisioni parlamentar. Kërkesa e PD-së është hedhur poshtë nga mazhoranca.

Përpara shitjes së aksioneve të “Air Albania”, nëpërmjet një marrëveshjeje të nënshkruar më 20 tetor në Ankara, kompania turke ka vendosur t’ia falë Forcave të Armatosura Shqiptare avionin “Airbus 319” që më parë është përdorur nga kryeministri shqiptar.

Ky avion, edhe pse me një moshë 26-vjeçare, ka sipas marrëveshjes një vlerë prej 11.9 milionë euro dhe do t’u transferohet Forcave të Armatosura Shqiptare. /BIRN