BE-ja shpreh keqardhje për ngërçin politik
Bashkimi Evropian shpreh keqardhje që partitë politike nuk e kapërcyen ngërçin e zgjatur politik pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025.
BE-ja porositë se Kosova duhet të ketë kapacitetet për të vepruar. Në këtë kontekst, zyrtarët në Bruksel presin që Kosova të kthehet në rrugën e duhur për reformat shumë të nevojshme që lidhen me BE-në, për të mirën e popullsisë së saj dhe për të përparuar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Nga BE-ja nënvizohet gatishmëria që të punojnë me autoritetet e Kosovës dhe të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së.
Njëkohësisht Brukseli shprehë keqardhje që nuk u krijuan kushtet që Kosova të përfitoj nga mjetet financiare nga Plani i Rritjes.
“Është gjithashtu për të ardhur keq që partitë politike nuk kanë qenë në gjendje deri më tani të bien dakord për çështjet kryesore, përfshirë ratifikimin e planit të Reformës dhe Rritjes”, ka nënvizuar një zëdhënës i Komisionit Evropian.
Ky burim konfirmon se, javën e kaluar, Kosova dhe KE kanë nënshkruar marrëveshjen për huan por e njëjta duhet te hyjë në fuqi.
Shuma e përgjithshme e paraparë për Kosovën nga Plani i Rritjes është deri 882 milionë euro.
Konfirmohet se Kosova mbetet e kualifikuar për të marrë deri në 882 milionë euro në financim sipas Planit të Rritjes, mirëpo në varësi të hyrjes në fuqi të marrëveshjeve që lidhen me Instrumentin e Reformës dhe Rritjes, si dhe të gjitha kushteve të tjera për pagesë.
“Për shkak të një vonese në formimin e institucioneve të saj, marrëveshjet që lidhen me Instrumentin e Reformës dhe Rritjes nuk janë ende në fuqi. Pa ratifikimin e marrëveshjeve, Kosova nuk mund të bëjë një kërkesë për pagesë sipas Instrumentit të Reformës dhe Rritjes.
Instrumenti i Reformës dhe Rritjes është një instrument me afat të kufizuar kohor i miratuar për periudhën 2024-2027 dhe është në interesin e Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur për të shfrytëzuar plotësisht të gjitha mundësitë sipas Planit të Rritjes, në dobi të popullsisë së saj”, porosisin zyrtarët e BE-së. /rtk