Përmbytje në Lezhë, zgjerohet zona e prekur në Lagunën e Vainit

Përmbytje në Lezhë, zgjerohet zona e prekur në Lagunën e Vainit

Aktuale November 20, 2025 - 20:05

Operacioni për mbylljen e çarjes në argjinaturën e Lagunës së Vainit vijon me vështirësi të mëdha, ndërsa situata në zonat e ulëta mbetet kritike. Pas shkarjes së argjinaturës mbrëmjen e së mërkurës, sipërfaqja e përmbytur është zgjeruar ndjeshëm të enjten, duke izoluar banesa dhe duke i bërë rrugët të pakalueshme, sidomos në zonën e Myltes dhe Barbullojës.

Sipas RTSH , banorët kanë shprehur shqetësimin e tyre, duke theksuar se niveli i ujit po vjen gjithnjë në rritje. Përveç rrezikut për banesat, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Ndërhyrje e ndërlikuar, terreni pengon mjetet

Strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Lezhë, ekipet teknike dhe forcat e ushtrisë janë angazhuar në terren, duke punuar pa ndërprerje. Ndërhyrja po kryhet me mjete të rënda dhe kamionë të ngarkuar me gurë e inerte, me objektivin kryesor frenimin e depërtimit të ujit drejt fshatrave të Njësive Administrative Shënkoll dhe Zejmen.

Megjithatë, punimet po zhvillohen mes vështirësish të mëdha. Rruga që të çon te pika e çarjes kalon brenda territorit të mbrojtur të kënetës, duke e bërë lëvizjen e mjeteve të rënda shumë të ngadalshme dhe të rrezikshme. Kjo ka vështirësuar ritmin e mbylljes së çarjes.

Krahas ekipeve të Bashkisë dhe ushtrisë, ndihmë me mjete të rënda kanë ofruar edhe disa kompani private, në një përpjekje të përbashkët për të përshpejtuar mbylljen e thyerjes dhe për të shmangur izolimin e mëtejshëm të zonave të banuara.

Terreni mbetet nën vëzhgim të vazhdueshëm nga autoritetet.