RTK-ja në krizën më të thellë financiare
Radiotelevizioni i Kosovës vlerësohet se është shndërruar në arenë për skenën politike, pasi zgjidhje për financim nuk ka, e fajet hidhen nga njëri tabor në tjetrin.
Pavarësisht rolit thelbësor të RTK-së, politikanët po e rrezikojnë funksionimin e tij duke mos e ndarë buxhetin.
Njohës të gazetarisë e politikës thonë se partitë politike po shfrytëzojnë varësinë financiare të RTK-së për fushatë elektorale.
“As atëherë e as tash, tash edhe më pak ka pasur dhe ka vullnet që RTK të pavarësohet financiarisht. Pavarësia financiare siguron edhe pavarësi editoriale dhe pavarësia editoriale asnjë pushteti nuk i ka shkuar për shtat dhe po vazhdon mos t'i shkoj për shtati. Nuk kanë pas empati për RTK dhe nuk kanë vetëdije për rëndësinë e transmetuesit publik derisa gjithë kohën na flasin për vlera demokratike për orientim evropian. RTK si e tillë është pjesë e shoqërisë demokratike dhe cenimi i RTK është cenim i demokracisë, sepse RTK është kategori kushtetuese”, ka deklaruar profesori i gazetarisë Rrahman Paqarizi.
Si shqetësuese shihen edhe deklaratat e të parit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili kur u pyet për buxhetin e televizionit të mërkurën, iu drejtua gazetares me fjalët se “Vetë e keni përkrah pushtetin nga fillimi”.
“Duhet të kuptoj jo vetëm ai por secili subjekt dhe secili lider që të jenë më të matur në paraqitjet e tyre pasi mund të thuhet se kjo është përdorur për fushatë elektorale dhe kjo nuk mund ti bëjë nder as atij as të tjerëve”, ka thënë profesori dhe njohësi i politikës Fadil Maloku.
“Unë mendoj që qasja e tyre është politike dhe elektorale. Qasja e tyre është personale, në kuptimin që përderisa ne nuk arrijmë të kemi ndikimin në RTK, qoftë deklarata e Abdixhikut që nuk kishte sens, qofshin ato të ministrave, më duket Hekuran Murati ose Besnik Bislimi i cili tha se RTK është dashur të ushtronte pushtet mbi partitë politike. Nuk është punë e RTK as të punoj për LVV as LDK, PDK e partitë tjera”, ka shtuar Paqarizi.
Abdixhiku vitin e kaluar u kishte kërkuar anëtarëve të partisë së tij që ta bojkotojnë RTK-në.
E deklarata e dhënë nga ai të mërkurën u kritikua edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës janë shqetësuese dhe të papranueshme çdo lloj i deklaratave që vijnë nga politikanët e që shërbejnë si presion për punën e RTK dhe gazetarëve. Nuk është hera e parë që zotëri Abdixhiku bën deklarata të tilla të pa përshtatshme dhe papranueshme për postin që e mban”, ka thënë kryetari i AGK-së Xhemajl Rexha.
Njohësit e fushës thonë se vakumi financiar e kthen lehtë RTK-në në mjet të presionit nga partitë politike.