AUV-i asgjëson 2934 kg tranguj të konservuar
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV) ka njoftuar se përmes sistemit të alarmimit të shpejtë për ushqim dhe ushqim për kafshë - RASFF, ka pranuar një njoftim lidhur me zbulimin e mbetjeve të pesticidit “Chlorpyrifos” në tranguj të përpunuar në Mamushë, Kosovë dhe të eksportuar në Slloveni.
“AUV-i ka ndërmarrë masat e menjëhershme për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, duke përfshirë: identifikimin dhe bllokimin e produktit të prekur si dhe koordinimin me institucionet relevante brenda dhe jashtë vendit, në përputhje me procedurat e sistemit RASFF”.
“Nga veprimet e ndërmarra sipas njoftimit të RASFF-së, është konstatuar se loti nr. 090827, në sasinë prej 2934.70 kg tranguj të prerë dhe të konservuar, ka qenë e përgatitur për eksport në Slloveni dhe si e tillë, është asgjësuar në prani të zyrtarëve të AUV-it dhe palës përkatëse, konform legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.
AUV-i po ashtu ka bërë të ditur se tranguj të tillë nuk gjenden në tregun e Kosovës dhe se situata është plotësisht nën kontroll. /Zëri