Kurti e mirëpret 28 dhjetorin: Institucionet duhet të sigurojnë proces zgjedhor të drejtë dhe të rregullt
Foto: Laura Hasani

Kurti e mirëpret 28 dhjetorin: Institucionet duhet të sigurojnë proces zgjedhor të drejtë dhe të rregullt

Aktuale November 20, 2025 - 14:58

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka caktuar 28 dhjetorin për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherazi lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, ka mirëpritur caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare, transmeton Telegrafi.

Kurti ka pohuar se dita e zgjedhjeve është festë e demokracisë.

"Ajo bëhet edhe më madhështore kur ka pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve tanë me të drejtë vote. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore kanë kohën e mjaftueshme për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i drejtë dhe demokratik", ka deklaruar Kurti.

Tutje, ai ka shkruar "ne e mirëpresim caktimin e datës 28 dhjetor nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme që po na presin".

Ndryshe, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka vendosur që zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Osmani fillimisht nënshkroi dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, respektivisht legjislaturën e nëntë të tij.

Këtë e bëri të ditur në një konferencë për media, pas takimit konsultativ që pati sot me partitë politike parlamentare.