Shkarkohet Besim Kelmendi

Shkarkohet Besim Kelmendi

Aktuale November 20, 2025 - 11:14

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka shkarkuar Besim Kelmendin nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit.

Shkarkimi i tij u bë me votat e pesë anëtarëve të pranishëm në mbledhje.

Paraprakisht, kryesuesi Ardian Hajdaraj tha se për shkak të largimit të kundërligjshëm të anëtarëve të tjerë, e vazhdojnë takimin. Tha se konstatojnë që ka kuorum të mjaftueshëm për mbajtjen e takimit, meqenëse Kryeprokurori duhet të përjashtohet me automatizëm nga ky proces pasi bëhet fjalë për diskutimet për të.

Fillimisht, u votua që të procedohet me pikën e rendit të ditës - shkarkimin e Kelmendit e më pas u hodh në votim.

“Konstatoj se me pesë vota për, aprovohet dhe shkarkohet nga detyra ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit”, tha Hajdaraj, raporton Betimi për Drejtësi.

Në vend të Kelmendit, si u.d. i kryeprokurorit të Shtetit u caktua Agron Qalaj.

Image

Kelmendi dje u intervistua nga Prokuroria Speciale si dëshmitar për masakrën e Reçakut. Ai demantoi raportimet se ka qenë bashkëpunëtor i gjyqtares hetuese të rastit të Reçakut, Danica Marinkoviq.

Ai në një konferencë shtypi ka thënë se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ka punuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë dhe këtë e ka shfrytëzuar për t’i ofruar dokumente Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut si dhe mediave për mbulimin e krimeve që bënte Serbia.

Kelmendi në fillim të mbledhjes së KPK-së e quajti këtë një plan kundër tij.

“Sepse njerëzit të cilët janë duke planifikuar gjithë këtë lojë, janë pjesë e gjithë një plani. Ky është plan, sepse dëshirojnë ta kenë njeriun që kanë interes të pastër. Dëshirojnë me pas një njeri i cili dje gjatë seancës dëgjimore si dëshmitar, ka qenë prezent jo njëherë, por dy herë - për me shiku a jam unë ai që po flas e për çka po flas. Ju lutem, çdo gjë për këtë plan të tmerrshëm të një grupi për një interes të një individi të cilin e kam përkrah vazhdimisht, është mëse e turpshme dhe joligjore”, tha Kelmendi.