NISMA dhe AAK-ja nuk do të marrin pjesë në seancën e orës 11:00
Foto: Laura Hasani

NISMA dhe AAK-ja nuk do të marrin pjesë në seancën e orës 11:00

Aktuale November 18, 2025 - 19:54

NISMA Socialdemokrate ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit të planifikuar për nesër në orën 11:00, e thirrur nga kryeparlamentari Dimal Basha.

Në një komunikatë zyrtare, NISMA thekson se:

“Tema të tilla kërkojnë përgjegjësi institucionale, përgatitje dhe debat serioz, jo nxitim e improvizime!”

Partia argumenton se thirrja e seancës u bë pa konsultim paraprak me subjektet politike, pavarësisht rëndësisë së çështjeve që do të diskutoheshin. Sipas NISMËS:

“Kemi ofruar gatishmëri të pakushtëzuar për çdo zgjidhje që i shërben vendit, por nuk kemi pranuar të bëhemi pjesë e skenareve që vetëm sa e thellojnë bllokadën.”

Komunikata gjithashtu nënvizon se vendi ndodhet prej muajsh në krizë politike për shkak të mungesës së shumicës parlamentare, dhe se NISMA ka qenë një forcë konstruktive gjatë kësaj periudhe:

“Ne do të mbetemi të përkushtuar ndaj zgjidhjeve që i shërbejnë qytetarëve, që rikthejnë normalitetin institucional dhe që respektojnë rendin kushtetues.”

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka konfirmuar gjithashtu se nuk do të marrë pjesë në seancë. Shefja e Grupit të AAK-së, Time Kadriaj, ka deklaruar shkurt ajo.

“Në ora 11:00 jo.”

Seanca e thirrur nga kryeparlamentari Basha ka nxitur debate mbi mënyrën e organizimit dhe konsultimit me subjektet politike, ndërsa partitë opozitare insistojnë se vendi ka nevojë për qartësi, përgjegjësi dhe veprim të matur, jo për lëvizje të nxituara me prapaskenë elektorale.