Kusari-Lila u bën thirrje deputetëve të votojnë buxhetin në seancën e nesërme
Deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, u ka kërkuar grupeve parlamentare mbështetje për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare e votimit të buxhetit, në seancën e jashtëzakonshme që është thirrur për nesër në orën 11:00.
Kusari-Lila ka thënë se pesë prej pikave të rendit të ditës janë marrëveshje ndërkombëtare, të cilat nëse nuk miratohen, rrezikojnë shtyrjen e 1 miliardë eurove investimeve.
Ajo ka specifikuar Planin e Rritjes, për të cilin ka thënë se nëse nuk miratohet deri në dhjetor, vendi rrezikon të humbë 10% të vlerës totale prej 880 milionë euro, apo rreth 88 milionë euro.
“Për ta arritur këtë sukses, na duhet mirëkuptimi dhe mbështetja e të gjitha grupeve parlamentare, sepse marrëveshjet ndërkombëtare nuk i takojnë asnjë partie apo qeverie, ato janë në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, ka shkruar Kusari-Lila.
Ajo ka kërkuar formimin e katër komisioneve të përhershme parlamentarare.
“Duke qenë të vetëdijshëm se zgjedhjet janë zgjidhja më stabile për ngërçin aktual, duhet të jemi mendjehapur dhe të mos e rëndojmë stabilitetin financiar. Prandaj, buxheti i vitit 2026 është përfshirë në agjendë dhe propozim për votim”, thuhet në postimin e saj.
Sipas saj, situate është e tejkalueshme.
“Mos të krijojmë ngarkesa të panevojshme, kur situata është e tejkalueshme. Nesër e kemi mundësinë të lehtësojmë edhe barrën e 700 punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, të cilët presin zgjidhje nga ne. Zgjidhja është në Kuvend edhe për buxhetin e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut”, ka shkruar ajo.