Çfarë mesazhesh u përcolli Wadephul Osmanit dhe Kurtit?
Me mesazhe të qarta zbarkoi në Prishtinë.
Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, gjatë vizitës në Kosovë u prit në takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Takimi mes të parës së shtetit dhe kryediplomatit gjerman zgjati mbi gjysmë ore dhe që të dy në fund dolën para gazetarëve.
Osmani tha mes tjerash se masat ndëshkuese duhet të hiqen dhe se Kosova e ka vendin në Bashkimin Evropian.
“Vizita juaj në Kosovë është një dëshmi e qasjes suaj dhe qeverisë së udhëhequr nga Merz se BE-ja mbetet e paplotë pa anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor. Populli i Kosovës e sheh Gjermaninë si aleatin më të besueshëm në gjithë kontinentin evropian. Ne synojmë të hyjmë si kontributdhënës e jo si barrë. Në këtë rrugëtim Kosova ka nevojë për mbështetjen e Gjermanisë. Heqja sa më parë e masave ndaj Kosovës është një urgjencë e domosdoshme për çka shpresojmë në përkrahjen e Gjermanisë”, ka thënë Osmani.
Ndërkaq Ëadephul tha se dera e BE-së është e hapur për vendet e Ballkanit Perëndimor por gjithashtu bëri me dije se Kosova duhet t’i përmbush obligimet në kuadër të dialogut me Serbinë.
“Ne jemi të bindur që Kosova e ka forcën dhe vullnetin për të zbatuar reformat e nevojshme. Gjermania është e gatshme që të iu ndihmojë me gjithë fuqinë që ka në këtë rrugëtim. Mbetet esenciale që gjendja këtu të mbetet e qetë…. dhe të mos vijë te konfrontimet siç ka ndodhur më 2023, 2024. Gjermania mbështet dialogun. Ky proces ka ngecur kohëve të fundit. Është shumë e rëndësishme që këtu të ketë përparim konkret. Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet shpejt dhe në plotëni, këtë e presim nga të dyja palët. Dialogu për normalizim duhet të vazhdojë me kriterin për mirëkuptim”, është shprehur ministri Wadephul
Kryediplomati gjerman gjithashtu kërkoi nga partitë politike që ta formojnë sa më parë Qeverinë.
Pas takimit me Osmanin, Ëadephul zhvilloi takim edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Pas Kosovës, ministri gjerman do të udhëtojë për në Maqedoninë e Veriut ku edhe do t’i përmbyllë vizitat e tij në rajonin e Ballkanit Perëndimor.