Mot me shi, IHMK-ja paralajmëron për vërshime të shpejta në disa lokalitete
Foto: Laura Hasani

Mot me shi, IHMK-ja paralajmëron për vërshime të shpejta në disa lokalitete

Aktuale November 18, 2025 - 07:53

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) bën të ditur se sot do të mbajë mot i vranët dhe me reshje shiu, ndërkaq në viset malore me lartësi mbidetare mbi 1500 m parashihen reshje bore.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4 dhe 6 gradë Celsius, ndërkaq ato maksimale nga 8 deri në 11 gradë.

Era do të fryjë nga veriperëndimi, me shpejtësi 1-6m/s.

IHMK-ja, po ashtu njofton se duke u bazuar në të dhënat, modelet dhe vrojtimet e kushteve të përgjithshme hidrometeorologjike në vend dhe rajon, parashihet që gjatë datave 18–19/11/2025 në vendin tonë të ketë reshje shiu, të cilat në disa zona pritet të jenë të intensitetit të lartë.

IHMK-ja njofton se këto reshje mund të shkaktojnë vërshime të shpejta në disa lokalitete.

IHMK-ja thekson se reshjet e cilat kanë filluar të shfaqen gradualisht do të përfshijnë tërë territorin e Kosovës, ndërsa zonat e rrezikuara më shumë janë ato me karakteristikë lumore dhe malore, përfshirë basenet e Drinit të Bardhë, Bistricës së Prizrenit, Mirusha, Toplluhës, Erenikut dhe Bistricës së Deçanit.

Instituti njofton se reshjet mund të tejkalojnë sasinë prej 40 l/m² brenda 24 orëve, duke shkaktuar rrezik të përmbytjeve, vështirësi në qarkullim, dëmtime të tokave bujqësore, rrëshqitje dheu e balte, si dhe rrezik potencial për jetën e njerëzve dhe kafshëve.

IHMK-ja apelon qytetarët dhe institucionet që të jenë të kujdesshëm dhe të ndërmarrin masat e nevojshme mbrojtëse, ndërsa thekson se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme përmes të dhënave nga rrjeti i stacioneve hidrometeorologjike. /Zëri

Më poshtë jua sjellim grafikën me temperaturat minimale dhe maksimale në qytetet kryesore të vendit:

Image