Enver Hoxhaj shpreh pakënaqësinë për Konventën: Proces që s’plotëson standardet e PDK-së
Foto: Laura Hasani

Enver Hoxhaj shpreh pakënaqësinë për Konventën: Proces që s’plotëson standardet e PDK-së

Aktuale November 17, 2025 - 18:13

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas zgjedhjes së Bedri Hamzës në krye të Partisë Demokratike të Kosovës, duke e cilësuar procesin si të mbyllur dhe jo në standardet demokratike, që, sipas tij, PDK-ja duhet t’i mbrojë.

Hoxhaj tha para mediave se partia nuk mund të pretendojë se lufton, siç u shpreh ai, “sistemin autoritar të Kurtit”, ndërkohë që brenda vetes shkel parimet e garës së hapur dhe demokracisë së brendshme.

“Qëndrimi im është parimor. Nëse duam ta luftojmë sistemin autoritar që po e vendon Kurti, nuk mund të shkelim institucionet tona demokratike – garën e hapur, prezantimin e ideve, platformat dhe dialogun e brendshëm”, deklaroi ai para gazetarëve.

Hoxhaj e quajti këtë Konventë “më shumë garë të mbyllur sesa proces demokratik”, por tha se e respekton vendimin e delegatëve për kryetarin e ri.

Ai shtoi se nuk e sheh të ardhmen e Kosovës pa rolin e PDK-së, UÇK-së dhe ish-udhëheqësve të saj historikë.

Në fund, Hoxhaj paralajmëroi se është i gatshëm të veprojë për të larguar Qeverinë Kurti.

“Por, unë e respektoj vendimin që e ka marrë delegatët, ku vendosën për kryetarin e ardhshëm. Do të bëj përpjekje që nëse dështova që të jem pjesë për një garë të barabartë të brendshme, jam i gatshëm që ta bëj garën jashtë që ta largojmë Qeverinë Kurti së bashku me partitë tjera opozitare”, deklaroi ai.