Zharku gjatë dëshmisë në rastin e 53 milionëve: Kostoja financiare për zgjatjen e afatit të punimeve ka qenë jashtë kontratës

Zharku gjatë dëshmisë në rastin e 53 milionëve: Kostoja financiare për zgjatjen e afatit të punimeve ka qenë jashtë kontratës

Aktuale November 17, 2025 - 15:23

Në rigjykimin për rastin “53-milionëshi”, ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, është pyetur sot edhe nga i pandehuri Eset Berisha lidhur me procedurat për zgjatjen e afatit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”.

Zharku ka deklaruar se nuk ka ekzistuar ofertë nga “Bechtel & Enka” për zgjatje të afatit pa kosto, por vetëm kërkesa për shfrytëzimin e fondeve të parapara.

Dëshmia e Zharkut ka vazhduar me sqarime nëse gjatë viteve 2015–2016 kishte pasur negociata për zgjatjen e punimeve dhe nëse kompania mbikëqyrëse “Hill International” kishte rekomanduar ndonjëherë zgjatje të afatit të kontratës pa kosto.

Ai tha se kërkesat janë diskutuar rregullisht, por kostoja financiare për zgjatje nuk ka qenë pjesë e kontratës.

I pandehuri Eset Berisha pyeti se a ka pasur ofertë nga operatori ekonomik “Bechtel & Enka” në vitin 2015 për zgjatje të afatit të punimeve pa kosto

“Po kthemi te problemi në vazhdimësi që ka qenë zgjatja e afatit për punime. A mund t’i tregoni gjykatës nëse keni pasur ofertë nga operatori ekonomik ‘Bechtel & Enka’ në vitin 2015 për zgjatje të afatit të punimeve pa kosto?”, pyeti ai.

Zharku u përgjigj se në realitet nuk ka pasur ofertë për zgjatje pa kosto, por ka pasur ofertë që njësia me shfrytëzu shifrën prej 10 për qind prej fondeve të paparapame.

“Në realitet nuk ka pasur ofertë për zgjatje pa kosto por ka pasur ofertë që njësia me shfrytëzu shifrën prej 10 për qind prej fondeve të paparapame”, tha ai.

Berisha pyeti më tej nëse kishte pasur tentativa gjatë viteve 2015–2016 për dakordim mes operatorit ekonomik, menaxherit të projektit dhe ministrisë. Zharku tha: “Kërkesa është biseduar rregullisht”.

I pandehuri gjithashtu pyeti: “A keni pranuar ndonjë shkresë nga mbikëqyrësi në vitin 2015… me të cilin ata kanë rekomanduar zgjatjen e afatit të kontratës pa kosto?”.

Zharku u përgjigj: “E sqarova çfarë kërkesa ka pasur. Ka pasur”.

Berisha vijoi: “Ju deklaruat se kostoja për zgjatjen e afatit të punimeve ka qenë e përcaktuar me kontratë sipas jush 1 milion euro në muaj”.

Zharku konfirmoi se “Është e saktë, mënyra se si e ka paraqitur ‘Hill International’, duke u bazuar në kontratë dhe aneksin e kontratës”.

Kur u pyet nëse kishte deklaruar se zgjatja e afatit të punimeve ka qenë jashtë kontratës, Zharku tha: “Jo, nuk deklarova ashtu. Kostoja financiare për zgjatjen e afatit të punimeve ka qenë jashtë kontratës. Kostoja financiare është tjetër”.

Berisha e pyeti edhe për gjendjen e punimeve deri në qershor të vitit 2017, kur Zharku kishte dorëzuar detyrën e ministrit. Zharku tha: “Kanë vazhduar me punë edhe në pjesën kur ka qenë gryka e Kaçanikut”.

Në pyetjen se a ishte e mundur përfundimi i autostradës deri në janar 2018 me ritmin e punës në atë kohë, Zharku u përgjigj: “Ka qenë e nevojshme shtyrja e afatit për përfundimin e punimeve prej vitit 2016”, tha ai. /EO