Osmani nderon me “Urdhrin e Lirisë” Harry Bajraktarin, si vlerësim për kontributin e tij për lirinë e Kosovës
Presidentja Vjosa Osmani ka ndarë sot “Urdhrin e Lirisë” për Harry Bajraktarin, si vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Në njoftimin e saj, Presidentja Osmani vlerësoi rolin historik të Bajraktarit, duke theksuar se për më shumë se tri dekada ai ka qenë një nga zërat më të fuqishëm të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ishte nder i veçantë që sot i ndava Urdhrin e Lirisë, z. Harry Bajraktari, si vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës. Për më shumë se tri dekada, z. Bajraktari ka qenë një nga zërat më të fuqishëm të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qysh në vitet e para, ai ka bashkëpunuar ngushtë me Presidentin historik Ibrahim Rugova, duke e përfaqësuar kauzën e Kosovës para institucioneve amerikane në një periudhë tepër të ndjeshme për vendin tonë”, shkroi ajo.
Presidentja shtoi se Bajraktari ishte një mbështetës i palëkundur i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një zë i fuqishëm i komunitetit shqiptaro-amerikan në arenën ndërkombëtare.
“Gjithashtu, ai ka qenë mbështetës i palëkundur i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe ka ngritur zërin e komunitetit shqiptaro-amerikan në arenën ndërkombëtare. Me përkushtim të pandalur, ai ka ndërtuar ura të rëndësishme bashkëpunimi me Shtëpinë e Bardhë, Kongresin amerikan dhe me udhëheqës të tjerë në SHBA, duke mbështetur Kosovën në momentet vendimtare dhe duke qëndruar krah popullit tonë”, shkroi ajo.