Bajrami pas vendimit të Supremes: Liberalizimi i tregut joligjor, hajnia më e madhe po ndodh nga mafia energjetike
Sot Gjykata Supreme njoftoi se ka aprovuar kërkesëpadinë e Odës Ekonomike të Kosovës kundër ZRRE-së. Për këtë ka reaguar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.
Kjo e fundit ka deklaruar se “mënyra e liberalizimit të tregut të energjisë është joligjore’’, gjë të cilën, ka theksuar ajo, e kanë thënë me qindra herë.
Ajo po ashtu ka deklaruar se, sipas saj, liberalizimi është bërë në kurriz të rreth 1300 bizneseve vendore vetëm dhe vetëm për të përfituar tregtarët e energjisë të afërt me qeverinë “Kurti”.
‘‘Kemi thënë që nga dita e parë, e kemi thënë me dhjetëra e qindra herë, se mënyra e liberalizimit të tregut të energjisë është joligjore. Është bërë në kurriz të rreth 1300 bizneseve vendore vetëm dhe vetëm për të përfituar tregtarët e energjisë të afërt me qeverinë ‘Kurti’. Vendimi i Gjykatës Supreme i vërteton të gjitha ato që kemi thënë’’, ka thënë ajo.
Tutje, ajo ka deklaruar edhe se: “hajnia më e madhe që po ndodh është ajo që po bëhet nga mafia energjetike’’.
“U bëj thirrje organeve të zbatimit të ligjit që ky vendim të zbatohet në tërësi; ndërmarrjet të kthehen në shërbimin universal të furnizimit me energji elektrike, ndërsa të gjithë vendimmarrësit e këtyre vendimeve joligjore të largohen menjëherë nga institucionet dhe të japin përgjegjësi për secilin cent të shpërdoruar. E kam thënë se hajnia më e madhe që po ndodh është ajo që po bëhet nga mafia energjetike. Pyetja është pse s’po luftohet kjo mafi nga organet qeveritare? Përgjigjen e dini të gjithë!’’, shkroi ajo.