Përfundon greva njëorëshe e punëtorëve të RTK-së
Ka përfunduar greva njëorëshe e punëtorëve të RTK-së.
Kjo grevë kishte filluar rreth orës 11:00, për shkak të mosalokimit të buxhetit të transmetuesit publik, çka ka lënë pa paga qe 17 ditë punëtorët e RTK-së.
Para nisjes së grevës, Gëzim Bimbashi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, kishte kërkuar nga Qeveria të gjejë zgjidhje ligjore.
Ai theksoi se situata është shumë emergjente. Bimbashi tha se nga e hëna e ardhshme do të fillojë greva me masa të rënda, për të cilën tha se do të shikojë aspektin ligjor. Sipas tij, gjatë javës do të njoftohet me kohë.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, deklaroi se BSPK-ja është me punëtorët e RTK-së, pasi punëtorët e RTK-së po kërkojnë pagën e tyre.
“Është e papranueshme që u bënë disa javë e nuk ka paga për RTK-në”, tha ai.
Edhe juristja e medias, Flutura Kusari, tha se ky është rezultat i presionit politik.
Ajo përmendi se ka pasur vendime të politizuara, por tani ky me paga është presion financiar që të ketë gjunjëzim.
Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Vjollca Shala, tha se SBASHK-u solidarizohet me punëtorët e RTK-së.