Nis greva njëorëshe e punëtorëve të RTK-së
Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës kanë nisur grevën njëorëshe. Kjo për shkak të mosalokimit të buxhetit të transmetuesit publik, çka ka lënë pa paga qe 17 ditë punëtorët e RTK-së.
Gëzim Bimbashi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, ka kërkuar nga Qeveria të gjejë zgjidhje ligjore. Ai theksoi se situata është shumë emergjente. Bimbashi tha se nga e hëna e ardhshme do të fillojë greva me masa të rënda, për të cilën tha se do të shikojë aspektin ligjor.
Sipas tij, gjatë javës do të njoftohet me kohë.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, deklaroi se BSPK-ja është me punëtorët e RTK-së, pasi punëtorët e RTK-së po kërkojnë pagën e tyre.
“Është e papranueshme që u bënë disa javë e nuk ka paga për RTK-në”, tha ai.

Edhe juristja e medias, Flutura Kusari, tha se ky është rezultat i presionit politik. Ajo përmendi se ka pasur vendime të politizuara, por tani ky me paga është presion financiar që të ketë gjunjëzim.
Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Vjollca Shala, tha se SBASHK-u solidarizohet me punëtorët e RTK-së.






