Hapja e të gjithë kapitujve negociues nga Shqipëria, Ahmeti: Arritje e jashtëzakonshme, bravo Edi!
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar pas lajmit se Shqipëria ka arritur brenda vetëm 12 muajsh të hapë të gjithë kapitujt negociues me Bashkimin Evropian.
Ahmeti, përmes një postimi në Facebook, e cilësoi këtë zhvillim si një sukses të jashtëzakonshëm jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë shqiptarët.
“Arritje e jashtëzakonshme, një bravo e madhe për Shqipërinë, bravo Edi.
Vërtet për shqiptarët dielli lind në perëndim.
Shqipëria arriti që për 12 muaj të hap të gjithë kapitujt negociues të ndarë në 6 grupkapitujsh, që në vete përbën rekord mbresëlënës.
E ardhmja evropiane është rruga e vetme për shqiptarët dhe për të gjithë të tjerët në Ballkanin perëndimor”.
“Maqedonia e veriut dhe Kosova duhet të ndjekin hapat dhe t’i bashkëngjiten përkushtimit të Shqipërisë dhe të Malit të Zi për tu integruar në Bashkimin Evropian me angazhim konkret në tejkalimin e sfidave para nesh.
Në këto kohëra dhe rrethana të vështira për kontinentin tonë dhe për botën, rruga jonë evropiane dhe rreshtimi me Bashkimin Evropian është përcaktimi më i sigurt për kombet tona dhe për rajonin”, shkoi Ahmeti.