Policia e Kosovës mohon pretendimet për të shtëna ndaj ushtrisë serbe
Foto: Laura Hasani

Policia e Kosovës mohon pretendimet për të shtëna ndaj ushtrisë serbe

Aktuale November 17, 2025 - 10:37

Policia e Kosovës i mohoi kategorikisht pretendimet e mediave serbe se një “grup i armatosur shqiptarësh” ka qëlluar drejt pjesëtarëve të ushtrisë së Serbisë, pranë bazës ushtarake “Debella Gllava”, duke i cilësuar ato si dezinformata të pabazuara, që nuk korrespondojnë me asnjë incident të verifikuar nga autoritetet në territorin e Republikës së Kosovës.

Baza ushtarake “Debella Gllava” ndodhet në komunën e Bujanocit - qytet në jug të Serbisë, i banuar me shqiptarë.

Në një komunikatë zyrtare, policia theksoi se, pas verifikimit të të gjitha informatave operative, raporteve nga terreni dhe koordinimit me institucionet kompetente, nuk është regjistruar asnjë rast i shtënies me armë drejt pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë, siç është raportuar nga disa media në atë vend.

Policia sqaroi se situata në zonën kufitare “ka qenë dhe mbetet e qetë dhe nën kontroll të plotë”, ndërsa bëri të ditur se dje ka arrestuar katër shtetas të Serbisë - gjuetarë - për kalim ilegal të vijës kufitare dhe armëmbajtje pa leje.

Armët dhe municioni janë konfiskuar, ndërsa të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Policia, e kontaktuar edhe nga Radio Evropa e Lirë, nuk tregoi për kombësinë e të dyshuarve të ndaluar.

Sipas saj, publikimi i informacioneve të pasakta vetëm se “krijon perceptime të rreme” dhe “rrit tensionet e panevojshme në zonat kufitare”.

Disa media në Serbi, përfshirë shërbimin publik - Radio Televizionin e Serbisë - raportuan të dielën mbrëma se një grup “shqiptarësh të maskuar” ka sulmuar pjesëtarët e Ushtrisë së Serbisë në rajonin e bazës “Debella Glava”, pranë kufirit me Kosovën.

Megjithatë, nuk u paraqitën prova që do ta vërtetonin këtë pretendim.

Mediat raportuan vetëm se sulmuesit “u larguan me gjashtë xhipa drejt Kosovës”.

E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Prokuroria e Lartë Publike në Vranjë, në jug të Serbisë, tha se disa persona të panjohur, me shumë gjasë duke përdorur armë gjahu, kanë shtënë në drejtim të një patrulle të Ushtrisë së Serbisë pranë bazës ushtarake “Debella Gllava”, afër kufirit me Kosovën, në komunën e Bujanocit.

Sipas kësaj prokurorie, personat e dyshuar janë larguar me disa automjete në drejtim të territorit të Kosovës.

Incidenti u raportua te prokurori kujdestar nga policia ushtarake, mbrëmjen e 16 nëntorit.

“Në këtë incident nuk ka persona të lënduar. Me urdhër të prokurorisë, policia po ndërmerr veprimet e nevojshme për të hetuar të gjitha rrethanat e ngjarjes”, thuhet në përgjigje.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, i cili kontrollon zonën kufitare me Serbinë, për të pyetur nëse është i njoftuar për këtë incident, por nuk mori përgjigje.