PDK-ja me konventë të hënën, kush do të jetë kryetari i ri?
Foto: Laura Hasani

PDK-ja me konventë të hënën, kush do të jetë kryetari i ri?

Aktuale November 16, 2025 - 20:43

Të mërkurën thirri konferencë të jashtëzakonshme për media.

Para gazetarëve, Memli Krasniqi, njoftoi se dha dorëheqje nga pozita e të parit të Partisë Demokratike të Kosovës.

Menjëherë pas kësaj, Krasniqi njoftoi se konventa e radhës e partisë, do të mbahet me 17 nëntor.

Madje, tregoi edhe preferencën, për pasuesin e tij.

E Bedri Hamza, mbetet emri më i përfolur, që ta marrë timonin e partisë më të madhe opozitare të hënën.

“Preferenca për z. Hamza, ndoshta duhet të ketë qenë fakti i përformancës së tij gjatë fushatë zgjedhore, gjë që tregon që në PDK po e kërkojnë një figurë, që i menaxhon ndasinë e brendshme por edhe reflekton jashtë që në njëfarë mënyre ta rrisë deri diku, sepse është një nga partitë më të mëdha në vend”, ka vlerësuar profesori Avdi Smajlaj.

Thirrja e konventës për të hënën, u kritikua nga ish-kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj.

Ky i fundit, tha se një konvente përmbajtjesore, nuk mund të mbahet për një kohë kaq të shkurtër.

“Kërkesa për ta shtyrë deri të dielën, mendoj se është e pamjaftueshme sepse është njësoj si të mbahen të hënën apo të dielën, sepse për platformat nuk bëhen as për 5 apo 10 ditë, sepse platformat serioze marrin disa muaj”, thotë Smajlaj.

E sipas analistes politike, Arta Tahiri, ndryshimi në krye të PDK-së, mund ta nxjerr vendin edhe nga ngërçi politik aktual.

“Mos është ky sinjal, pra dorëheqja e Memli Krasniqit dhe konventa e shpejtë e PDK-së për të zgjedhur një kryetar, mos ka të bëj me një koalicion të mundshëm në nivelin nacional mes LVV dhe PDK, sepse deri me tani këto janë përdorur si teknika, meqë Memli Krasniqi është shprehur kundër një koalicionit dhe kjo situatë ka sjell një ngërç, dhe me ndërrimin e lidershipit mund të arsyetohen me idenë se kanë ndryshuar dhe kanë menduar me gjerë”, ka thënë Tahiri.

Ndryshe, pavarësisht paralajmërimeve, nga Partia Demokratike e Kosovës, deri më tani nuk e kanë bërë të ditur kohën se kur do të mbahet konventa.