Nga nesër fillon dëshmia e Wesley Clark në Hagë, ja çfarë do të pyetet
Dhomat e Specializuara në Hagë kanë bërë të ditur se Wesley Clark, ish-komandanti suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, do të fillojë dëshminë të hënën, më 17 nëntor, në procesin gjyqësor që është duke u zhvilluar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
DHSK-ja ka njoftuar se pas përfundimit të dëshmisë së Clarkut, të mërkurën, më 19 nëntor, do të mbahet konferenca për ecurinë e çështjes.
“Seanca e planifikuar paraprakisht për të premten, më 21 nëntor, është anuluar”, thuhet në njoftim.
Ai fillimisht do t’u përgjigjet pyetjeve të palës thirrëse, që janë avokatët e mbrojtjes së Hashim Thaçit, ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më pas, Clarku do të sfidohet edhe nga Prokuroria e Specializuar e Hagës dhe më vonë edhe nga trupi gjykues, i cili nuk ka pasur pak pyetje për dëshmitarët e mëparshëm, që janë gjashtë gjithsej.
Clark do të jetë dëshmitari i shtatë i thirrur nga mbrojtja e Thaçit dhe i fundit.
Sipas Klan Kosovës, ai fillimisht do të pyetet për të kaluarën e tij, për gjithë përvojën ushtarake që ka pasur para se të shërbente si gjeneral me katër yje dhe si kryekomandant i Forcave Evropiane të NATO-s, e më pas do të pyetet për gjithçka që di në lidhje me luftën e fundit në Kosovë.
Tema e parë që mbrojtja e Thaçit do të ngrejë ndaj Clarkut do të jetë përpjekja e tij për zbatimin e marrëveshjes së arritur mes Sllobodan Millosheviqit dhe Ibrahim Rugovës në tetor të vitit 1998, e më pas për Rezolutën 1199 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Më tej, ai do të flasë edhe për fushatën 78-ditore të bombardimeve të NATO-s mbi caqet jugosllave, që solli më pas lirinë për Republikën e Kosovës.
Përveç kësaj, natyrisht, mbrojtja do ta pyesë edhe për marrëveshjen e demilitarizimit dhe hyrjen e KFOR-it në Kosovë në vitin 1999, si dhe për të gjitha përgjegjësitë që ka pasur Hashim Thaçi dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Clark, njësoj si dëshmitarët e tjerë, do të shoqërohet nga një person i Ambasadës së SHBA-së në Hagë, pasi ai do të flasë vetëm për temat për të cilat i është dhënë leje jo vetëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit, por edhe nga Departamenti i Mbrojtjes.
Dëshmitarët e fundit në rastin e Thaçit dhe të tjerëve kanë qenë Michael Durkee, këshilltar politik i komandantëve supremë të forcave aleate të NATO-s në Evropë, dhe ish-diplomati amerikan Christopher Hill.