Hoxhaj shpreh hapur vullnetin për të garuar për kryetar të PDK-së
Foto: Laura Hasani

Hoxhaj shpreh hapur vullnetin për të garuar për kryetar të PDK-së

Aktuale November 15, 2025 - 17:57

Ish-kryediplomati Enver Hoxhaj ka shprehur hapur vullnetin për të garuar për kryetar të PDK-së.

Hoxhaj theksoi se PDK duhet ta rimarrë rolin e vet historik dhe simbolik në jetën politike të vendit.

“Po flas për atë që, në vitin 2025, një parti që qëndron në themelet e lirisë së Kosovës, në themelet e shpalljes së pavarësisë dhe të shtetndërtimit të Kosovës, duhet ta rimarrë rolin e vet historik. Dikush si unë ka qenë në periudhën më të rëndësishme të shtetformimit. Këto këpuca dhe këto kostume i kam kur është shpallur pavarësia e Kosovës, në vitin 2008.”

Ai rikujtoi rolin personal në negociatat e statusit dhe në shpalljen e pavarësisë.

“Unë kam negociuar për pavarësinë në vitet 2006–2007 me një ekip kolegësh dhe kam nënshkrimin në Deklaratën e Pavarësisë.”

Hoxhaj ngriti shqetësimin për drejtimin aktual të institucioneve.

“Jam shumë i shqetësuar që z. Kurti gjatë vitit 2025 është duke bërë një revolucion politik duke përmbysur çdo institucion demokratik e shtetëror.”

Sa i përket ambicies së tij për PDK-në, ai tha se synon një moment të madh politik që shënon fundin e këtij viti dhe hap një kapitull tjetër.

“Dua të bëj një ngjarje të madhe, që e mbyll kapitullin e vitit 2025 dhe hap një të ri. Dua një ngjarje që u shërben z. Thaçi, z. Veseli, z. Krasniqi dhe z. Selimi, sepse temat që kemi janë njerëzore, ndërsa ata po përballen me padrejtësi. Dua që në pranverë t’i shoh në Kosovë, me një PDK më të fortë.”, ka thene Hoxhaj.

Ai bëri thirrje për ribashkimin e partisë dhe rikthimin e figurave të vjetra me peshë.

“PDK duhet të bashkohet në Drenas, në Kaçanik, duhet të rikthehen të gjithë ata që kanë dhënë shumë për PDK. Partia duhet të hapet, të freskohet dhe të tregojë guxim e lidership.” /klankosova