Ish-opozita nuk ka vota për Qeverinë e LVV-së, i presin zgjedhjet
Foto: Laura Hasani

Ish-opozita nuk ka vota për Qeverinë e LVV-së, i presin zgjedhjet

Aktuale November 15, 2025 - 08:27

Ish-partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demorkatike e Kosovës (LDK), e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë shprehur të bindura që nuk do ta mbështesin një Qeveri të Lëvizjes Vetëvendosje, ani pse e njëjta e propozoi për mandatar për kryeministër “preferuarin” e tyre Glauk Konjucën.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami në një intervistë dhënë për Ekonomia Online ka thënë se lideri i Vetëvendosjes po e thotë një të pavërtetë kur thotë se ka numrat që ta bëjë Qeverinë në krye me tashmë mandatarin për kryeministër Glauk Konjufca.

Behrami e ka bërë të qartë qëndrimin e PDK-së që vendi të shkojë sa më shpejt në zgjedhje.

“Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim Partia Demokratike e Kosovës është që të shkojmë sa më shpejt në zgjedhje dhe të kemi parlament dhe qeveri të re. Qeveria kurrë si ka pas numrat, as për kuvend e as për qeveri pra ata kanë rrejt tash e një vit por rrena është doktrinë politike e Albin Kurtit e fatkeqësisht nuk është doktrinë shqiptare por është doktrinë serbe”, theksoi Behrami.

Behrami tha se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti i kanë okupuar institucionet.

“PDK nuk është thy tash e një vit prej tundimeve të ndryshme, ofertave, presionet e shantazheve të ndryshme nuk do të thehet as tani. Vendi duhet të shkoj në zgjedhje as Presidentja Osmani as Kryeministri i cili i ka okupuar institucionet nuk mund ta ndalojnë këtë”, shtoi deputeti i PDK-së.

Lidhur me deklaratën e Presidentes Osmani, e cila tha se nuk po sheh gatishmëri të deputetëve për formimin e komisioneve e më pas miratimin e buxhetit, Behrami për këtë tha se Osmani ka vendosur me që t’i besojë Kurtit, që, sipas tij e ka mashtruar.

“Gatishmëria e partive të ish-opozitës me sa duket presidentes Osmani kurrë si ka interesu. Po t’i interesonte gatishmëria e partive tona vendi do të ishte tani në zgjedhje. Shumica parlamentare përfaqësuar në kuvend ka kërku zgjedhje por Vjosa Osmani prapa nesh ka vendos mi besu një lideri i cili ka mashtru në mënyrë sistematike, i cili është hilegji, i cili nuk pranon kushtetutë, nuk pranon ligje dhe nuk pranon norma, nuk pranon tradite dhe është njeri i pabesë”, tha ai.

Zogaj tha se LDK nuk ka votë për LVV-në dhe nënvizoi se vendi është në ngërç politik, dhe sipas tij nga lojërat e fituesit të zgjedhjeve.

 “Ne e kemi bërë shumë të qartë disa herë dhe e them sërish se nuk kemi votë për Lëvizjen Vetëvendosje, ne e kemi thënë qartazi se kemi interesim, ka kalu kohë, kemi humb muaj të tërë në ngërq politikë dhe në lojëra politike të fituesit të zgjedhjeve tash është radha për zgjedhje të reja dhe pastaj qytetarët e Kosovës me vendos se si do të duket qeveria e ardhshme e Kosovës. Duhet të shkojmë në zgjedhje sa më parë të jetë e mundur në mënyrë që me i arrit afatet tjera kushtetuese e sidomos buxheti i vendit është shumë me rëndësi të votohet pas krijimit të institucioneve të vendit”, theksoi deputeti i LDK-së.

Deputeti i LDK-së shtoi se LVV nuk ka tentuar të ketë një komunikim me LDK-në pas propozimit të mandatarit të dytë dhe theksoi se as mandatari i dytë nuk ka bërë ndonjë lëvizje.

“Ne nuk po shohim ndonjë lëvizje, unë nuk kam informacion që në drejtim tonin ka ardhë në një kërkesë por nuk po shoh ndonjë informacion që ne drejtime tjera ka ardhë kërkesa për të kriju një qeveri të re. Është qasja e njëjtë sikur përpara si me mandatarin e parë, Kurti nuk bënte asnjë lëvizje për të kriju institucionet e vendit njëjtë edhe mandatari i dytë që nuk është duke bërë asnjë lëvizje po e pret ditën e fundit dhe pastaj të shkojmë në kuvend dhe të bëjmë shohë pa asnjë tendencë për të kriju institucionet e vendit, kjo është problematika, këtu e kemi problemin e madh dhe meqënëse nuk ka votë atëherë nuk po thirret as seanca e meqenëse nuk po ka votë as nuk do të ketë qeveri të re e as zgjedhje të reja”, shtoi Zogaj.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj për deklaratën e Presidentes Osmani tha se miratimi i buxhetit nuk është në rend të krijimit të institucioneve.

“Ka një rend në krijimin e institucioneve të vendit, pra konstituohet kuvendi, kemi qeveri pastaj të krijohen komisionet dhe më pas vazhdohet me procedurat e konstituimit dhe themelimit të institucioneve të vendit e ne nuk jemi në atë rend. Tani ka një mandatar të dytë për të kriju Qeverinë e Kosovës, mandatari i ka edhe disa ditë në dispozicion për të kriju qeverinë e re të Kosovës ne po presim se kur do të thirret seanca për themelimin e qeverisë së Kosovës dhe pastaj të ecim me proceset tjera. Pra, ka rend të ngjarjeve sipas rregullave tona dhe sipas kushtetutës së Kosovës”, tha ai.

Edhe Ramush Haradinaj i AAK-së ka thënë se nuk do ta takohen me VV pa pasur ndonjë ofertë konkrete.

Më 9 shkurt kanë qenë zgjedhjet nacionale ndërsa Kosova gjendet pa institucione tash e mbi 9 muaj. Ngërqi politik erdhi si pasojë e mosvotimit të qeverisë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Së fundmi është propozuar mandatari i dytë Glauk Konjufca, vendim që erdhi nga afati i dhënë nga Gjykata Kushtetuese.