Institucionet e Kosovës garantojnë mbështetje dhe drejtësi për familjen Spahija
Në emër të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, këshilltarja Donika Kadaj Bujupi, së bashku me Nënkryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, vizituan familjen Spahija në Gjakovë për të ndarë dhimbjen e humbjes së vajzës së tyre, Daorsës, një të reje të jashtëzakonshme dhe studente e shkëlqyer e mjekësisë në Tetovë.
Gjatë vizitës, Kadaj Bujupi shprehu ngushëllimet më të sinqerta për prindërit, Arbërin dhe Diellzën, si dhe për gjithë familjen Spahija, duke theksuar se humbja e Daorsës prek thellë zemrat e të gjithëve.
Në emër të Presidentes, ajo i siguroi familjes se institucionet e vendit do të qëndrojnë pranë tyre me përkushtim dhe mbështetje të vazhdueshme gjatë gjithë procesit të hetimeve nga autoritetet kompetente.
Kadaj Bujupi u bashkua me familjen në dhimbje dhe solidaritet, duke nderuar kujtimin e Daorsës dhe duke garantuar se drejtësia do të ndiqet në çdo hap.