Rexhepi: Qeveria serbe po ndjek një qasje diskriminuese ndaj të drejtave të shqiptarëve në Luginë
Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës ka akuzuar autoritetet serbe për bllokimin e qëllimshëm të fondeve të dedikuara nga Qeveria e Kosovës, duke e cilësuar këtë si sulm ndaj përfaqësimit institucional dhe të drejtave të shqiptarëve në Luginë.
Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës ka reaguar ashpër pas konfirmimit nga Zëvendëskryeministri i Parë i Kosovës, Besnik Bislimi, se fondet e destinuara për mbështetjen e shqiptarëve në Luginë janë bllokuar qëllimisht nga autoritetet serbe.
Sipas njoftimit të KKSH-së, bëhet fjalë për një shumë prej 304,511.16 euro, e cila ishte dedikuar posaçërisht për veprimtarinë e Këshillit, bazuar në kërkesën zyrtare dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës. Megjithatë, pagesa përkatëse është refuzuar tri herë radhazi nga banka pranuese në Serbi, pa asnjë arsye ligjore apo teknike.
Në njoftim theksohet se ndërkohë 35,448 tekste shkollore janë shpërndarë dhe përdoren nga 3,650 nxënës në shkollat e Luginës, por pagesat për këtë projekt janë bllokuar, duke penguar funksionimin e rregullt të institucioneve shqiptare.
“Ky nuk është gabim administrativ, por bllokim i drejtpërdrejtë i funksionimit të KKSH-së dhe i të drejtave të komunitetit shqiptar,” thuhet në reagim.
Po ashtu, KKSH nënvizon se e njëjta qasje diskriminuese është vërejtur edhe në rastin e subvencioneve bujqësore, ku janë dëmtuar dhjetëra familje dhe fermerë shqiptarë.
Këshilli e konsideron këtë si pjesë të një strategjie të qëllimshme për të dobësuar kapacitetet institucionale të shqiptarëve dhe për të penguar çdo mbështetje që vjen nga Kosova.
Në përfundim, KKSH deklaron se do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e shqiptarëve në Luginë dhe do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet në Prishtinë, Tiranë dhe partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që këto pengesa të trajtohen në nivelet politike dhe ndërkombëtare të duhura.